Partizani e nis në mënyrën më të keqe vitin 2016, pasi u mposht në Laç nga vendasit me rezultatin 2-0 në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
 
Debutimi i ka buzëqeshur trajnerit të ri të bardhezinjve, Stavri Nica kundrejt italianit të të kuqve, Agostinelli që nuk mundi ta nisë me këmbën e mbarë aventurën te Partizani.
 
Fitorja e afron Laçin me gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi udhëton i qetë në Tiranë për ndeshjen e kthimit me favorin e dy golave që do të jetë shumë e vështirë që të kthehet nga të kuqtë.
 
Përsa i përket kronikës së ndeshjes golat për Laçin u shënuan nga ai të cilit Partizani i trembej më shumë dhe që e kërkon me ngulm në dy edicionet e fundit, Xhejms.
 
Goli e parë nigeriani e shënoi në të 49’, sulmuesi përfitoi nga një gabim në mesfushë duke dalë i lirë në hyrje të zonës duke goditur bukur me të djathtën dhe mposhtur kapitenin e kuq.
 
Goli i dytë që vulosi rezultatin erdhi në të 65’. Një meritë të veçantë kishte Cetkoviç, që pasoi bukur te Xhejms që avancoi drejt zonës së rreptësisë duke gjetur kohën dhe vendin e duhur për të goditur saktë për të ndalur sferën në rrjetë për herë të dytë.  
 
Gjoba fillimisht dhe tashmë humbja ndërlikojnë pozitën e italianit, Agostineli ende pa filluar mirë punën te Partizani. 



d.b/shqiptarja.com