Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është dënuar me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit në vitin 2018.Vendimi u shpall sot nga gjykatësi Sabit Sadikaj. Sveçla nuk futet në qeli nëse gjatë një viti ai nuk kryen një tjetër vepër penale.
Prokurori Valdrin Krasniqi kishte kërkuar që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë. Avokati i tij, Laur Prenaj, tha se mbrojtja nuk do të bënte deklarim, pasi klienti i tij nuk ka pranuar fajësinë. Vetë Sveçla nuk ishte i pranishëm në Gjykatë gjatë shpalljes së vendimit.
Më 2 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Sipas gjetjeve të gjykatës, në vitin 2018, ai hodhi një bombolë me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke e bërë të pamundur vazhdimin e seancës.
Sveçla akuzohej edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, por për këtë pikë gjykata tha se çështja ishte parashkruar.
Çështja lidhet me ngjarjet e marsit 2018, kur deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës në Kuvend në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Në një seancë të mëparshme, Sveçla tha se nuk e konsideronte veten fajtor, duke shpjeguar se veprimi kishte karakter politik dhe synonte, sipas tij, të pengonte “faljen ose shitjen e 8,200 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës”.
Fillimisht, në këtë çështje ishin nën akuzë edhe ish-deputetët e Vetëvendosjes Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba, por Gjykata vendosi ta veçojë procedurën ndaj Sveçlës nga ajo e të pandehurve të tjerë.







Komente
Komento