Xhemal Gjunkshi urdhëron:
Të vihet tabela te SHQUP

Xhemal Gjunkshi urdhëron:<br />Të vihet tabela te SHQUP
TIRANE- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral major Xhemal Gjunkshi përpos deklaratës dhe garancisë që ka dhënë për Ministren e re të Mbrojtjes Mimi Kodheli se nuk ka firmosur për kalimin e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë në dizpozicion të PD për ta përdorur si seli ka dhënë dhe një urdhër në funksion të qëndrimit të tij.

Burimet brenda Ministrisë së Mbrojtjes por dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA bëjnë me dije se Gjunkshi ka dhënë urdhër verbal për të vendosur urgjent tabelën tek SHQUP, që është hequr ditë më parë, duke rikonfirmuar se nuk e ka firmosur kërkesën për tjetërsimin e kësaj godine në seli të PD, çka e bllokon procesin e  tjetërsimit dhe e nxjerr vendimin e qeverisë të paaplikueshëm e nul. Ndërkohë që dje në mëngjes, ish ushtarakët u mblodhën para SHQUP për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për kthimin e Shtëpisë së ushtarakëve në selinë e PD. “Shtëpia është e jona. Duam ta mbajmë”, thanë ish ushtarakët duke i kërkuar kryeministrit në ikje Berisha të anulojë vendimin e qeverisë.

Po kështu ushtarakët i kërkojnë Presidentit Nishani të reagojë si dhe shprehin besimin se kryeministri Edi Rama që merr detyrën në shtator dhe ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli do ia kthejnë ushtarakëve këtë shtëpi brenda së cilës është historia e Forcave të Armatosura Shqiptare.

“Kjo shtëpi ka 70 vjet që mëson, edukon dhe ushqen gjithë breznitë e ushtarakëve. Janë kryer qindra mbledhje, simpoziume të NATO-s, ceremoni dekorimesh. Ajo ka të skalitur e fotografuar të gjithë fytyrat e ushtarakëve. Dhe muret e dritaret e kësaj fasade thërrasin për ndihmë: Ushtarakë dua të qëndroj me ju, prandaj na mbroni me çdo kusht”, tha Barjam Mane, ish ushtarak por dhe ish zv. Ministër i Mbrotjes. “I bëjmë thirrje kryeministrit në ikje të anulojë vendimin dhe të mos e botojë në fletore zyrtare. Lulzim Basha të mos marrë mundimin e të zhvendoset në këto ambientet se do ta ketë të pamundur edhe më vonë, dhe siç e ka zakon që vetëm qesh, Shtëpisë Qëndrore do t’i rruajë vetëm leshë”, tha Mane.

Ish ushtaraku shprehu besimin se dhe ushtarakët aktivë nuk pajtohen me këtë vendim, por nuk reagojnë pasi kanë frikë. Ai i nxiti të reagojnë dhe ndaj heqjes së kompensimit financiar. “I bëj thirrje ushtarakëve aktivë të mos pajtohen me këtë vendim dhe të mos rrinë sehirxhi ndaj heqjes së kompensimit financiar dhe të mos rrinë indiferent ndaj tjetërsimit të ushtarakëve, sepse indiferentizmin e tyre do e dënojë opinioni ynë, Edi Rama dhe Kodheli e cila ka të drejtë të thotë: Ku ishit ju?! Ne kemi bindjen se ata nuk janë dakord me këtë vendim por duhet të flasin hapur kundër”, protestuan dje ish ushtarakët, të cilët e kanë krahasuar sjelljen ndaj SHQUP të qeverisë në ikje, njëlloj siç është sjellë dhe me romët që i nxorën nga barakat e tyre. “Kanë vepruar taman siç kanë vepruar për romët. Ata i nxorrën nga kolibet dhe ne duan të na nxjerrin nga shtëpia. Ky është turp më i madh në botë. Gjeneralët duhet ta mbrojnë dhe ta bëjnë problem deri në NATO”, tha Mane duke e mbyllur fjalën e tij me pyetjen “Ka vend në Europë që s’ka shtëpi ushtarakësh?”. Ish ushtarakët më pas u zhvendosën para kryeministrisë ku zhvilluan protestën.

Berisha firmosi më 8 gusht 2013 vendimin për kthimin e SHQUP në seli të PD. Kodheli deklaroi se me të marrë detyrën këtë godinë do ia kthejë ushtarakëve.

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë