Xhensila Myrtezaj: Ju rrëfej
4 vitet e lumtura me Besin

Xhensila Myrtezaj: Ju rrëfej <br />4 vitet e lumtura me Besin
Këngëtarja Xhensila Myrtezaj, do të prezantohet në Top Fest me këngën “Edhe njëherë”, një krijim i kantautorit Nesti Duka, i njohur me emrin Stine. Një ditë përpara finales së madhe të këtij festivali, ajo na rrëfen emocionet dhe pritshmëritë e saj, duke pohuar se do të dëshironte të fitonte çmimin “Best Female”, apo “Best Pop Rock”. Myrtezaj thotë se do të sjellë një performancë të veçantë, por nuk preferon të jap më shumë detaje duke i lënë surprizë për publikun. Këngëtarja e hitit “Ëngjëlli im”, flet edhe për lidhjen e saj katër vjeçare, me aktorin e “Portokallisë” , Besart Kallaku. Ndonëse kanë kaluar 4 vjet nga njohja e tyre, ajo pohon se ata janë të lumtur dhe të dashuruar njësoj si ditën e parë. 

Xhensila të dielën do të performoni në sallën e Pallatit të Kongreseve, si ndiheni?
Është hera e katërt që unë marr pjesë në Top Fest, dy herë jam kualifkuar dhe dy herë jo, por ndjej të njëjtat emocione si herën e parë. Sepse emocionet e shoqërojnë shpeshherë artistin. 

Vitin e kaluar konkurruat me këngën “Ëngjëlli im”, dhe u nderuat me çmimin RnB, këtë vit cilin çmimin do të dëshironit?
Këtë vit pritshmëria ime ishte që të hyja dhe të bëhesha pjesë e Top Fest. Kjo fazë kaloi dhe do dëshiroja të nderohesha edhe me një çmim sigurisht. Uroj që të fitojë çmimin “Best pop rock”, apo “Best female”. 

Ju vini ndryshe në skenë një herë me balada më pas me këngë më ritmike, pse e bëni këtë zgjedhje?
Në fakt kjo është zgjedhja dhe zgjidhja më e mirë. Sepse duke ardhur ndryshe nuk identifikohem vetëm si këngëtare baladash, por e të gjitha rrymave muzikore. 

Ku ndiheni më komode?
Mua më pëlqejnë gjitha. Adhuroj rrymën RnB, por mendoj se janë baladat ato që më përfaqësojnë më tepër dhe ku unë gjej veten time. Por në repertorin kam një shumëllojshmëri këngësh. 

Në natën finale të Top Fest do të jeni vetëm në skenë, apo do të shoqëroheni nga balerinë?
Nuk dua të zbulojë më shumë detaje. Dua që ta lë surprizë për publikun (qesh). 

Po përsa i përket pamjes së jashtme?
Do të vij ndryshe, por pa dal nga karakteri dhe nga vetja ime, sepse në të kundërt do të dilja nga identiteti im. 

Edhe këtë këngë ashtu si një vit më parë ia keni besuar Stines, pse kjo zgjedhje?
Unë kam patur bashkëpunime me shumë kompozitor por ai me Stinen, ka rezultuar shumë i suksseshëm. Të gjitha këngët e Nestit janë pëlqyer nga publiku, ndaj dhe e zgjodha përsëri si bashkëpuntorin tim kryesor, në këtë event të muzikës së lehtë shqiptare. 

Do të vazhdoni edhe më tej bashkëpunimet tuaja?
Patjetër që po. Ne jemi në vazhdimësi e sipër dhe jam e bindur që kemi për ti sjellë publikut materiale shumë të bukura muzikore. 

Ndjeni konkurrencë të fortë në këtë kompeticion?
Kur hyn në një garë, merren parasysh të gjitha, ndaj dhe unë mendoj se jam e përgatitur aq sa duhet për t’u përballur në këtë festival, ndonëse jam një këngëtare e re. 

Do të konkurroni përkrahë emrave të njohur, të muzikës shqiptare keni “frikë”?
Në një garë unë nuk shoh emrat por përpiqem të jap maksimumin në të, për të parë deri se ku jam e aftë të arrij unë. Padyshim që ndihem e nderuar që do të jem përkrahë emrave më të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare dhe kjo është dyfish përgjegjësi. 

Cilat janë projektet e tuaja pas Top Festit?
Pas Top Festit do të punoj për të sjell një këngë dhe një video të re. Teksti i këngës është shkruajtur nga Dr. Flori dhe kompozitor i saj është Edlir Begolli. Kënga do të jetë shumë ritmike, ose siç e quajmë ne “limonadë”. Mund t’iu them që është një këngë tipike verore. 

Sipas jush cila është kënga më e bukur e Top Fest 9?
Mund të them me bindje që të gjitha këngët e Top Fest 9, janë shumë të bukura dhe nuk do të kisha dëshirë të veçoja ndonjëren prej tyre. Megjithatë mund të them që një nga këngët e mia të preferuara është “Udhëtari”, i këngëtarit Eugent Bushpepa. Por ka edhe këngë të tjera shumë të bukura kështu që unë uroj ta fitojë më i miri. Më pëlqente shumë edhe kënga e Besit, dhe do të doja që edhe ajo të ishte në finale. (qesh) 

Keni ndonjë këngëtar që ju frymëzon në karrierën tuaj?
Më pëlqejnë shumë këngëtar. Nga këngëtarët shqiptar do të veçoja Juliana Pashën, Motrat Libohova, Eugent Bushpepën etj. 

Sa kujdeseni për lukun tuaj?
Luku për një artist është pjesa më e rëndësishme dhe unë kujdesem shumë. Siç e thashë edhe pak më sipër më pëlqen gjithmonë të vij ndryshe për publikun. 

Me kë këshilloheni për paraqitjen tuaj?
Në pjesën më të madhe të rasteve ka ndodhur që jam kujdesur vet, duke zgjedhur veshjet e duhura për performancat e mia. Por ka ndodhur që të këshillohem edhe me stiliste të ndryshme shqiptare, dhe mendoj se bashkëpunimi me to ka rezultuar i suksesshëm. 

Sa e vështirë ka qenë për ju të futeshit në botën e artit, duke qenë që se vinit nga një format si “Ethet e së premtes mbrëma”?
Për mua ”Ethet” ishin një shkollë më vete. Pa pjesëmarrjen e këtë format, unë nuk do të isha këtu ku jam sot. Mendoj që “Ethet” kanë qenë çelësi i vazhdimësisë për karrierën time muzikore. 

Le të flasim pak për jetën tuaj private, ju jeni prej kohësh e fejuar me Besin aktorin e “Portokallisë”. Si po shkon lidhja juaj?
Ashtu siç e thatë dhe ju unë jam e lidhur me Besin që prej katër vitesh. Jemi shumë të lumtur dhe kuptohemi shumë mirë më njëri-tjetrin. Ndonëse vitet kanë kaluar mendoj se me Besin kemi të njëjtën dashuri si në fillimet tona. 

Ku do ti kaloni pushimet verore?
Këtë vit do të shkojmë në Alania në Turqi, por nuk do të mungojmë as në bregdetin e mrekullueshëm të jugut. 

I mbani mend pushimet tuaja të para?
Me Besin kemi bërë shumë pushime, por pushimet e para kanë qenë shumë të bukura. Ato i kemi kaluar në Mal të Zi.

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull

Zjarri në Finiq, vatrat aktive pranë fshatrave Shijan dhe Mavropull