TIRANE- Ish-kryetari i SHISH Fatos Klosi në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” thotë se lufta në Siri bëhet nga formacione islamike dhe nga Shqipëria.

Teksa ka folur për statusin, ai thotë se nuk ka pasur pengesa fetare, por Shqipëria duhet të plotësojë detyrimet. Për të lufta kundër të korrupsionit dhe dënimi i të “paprekshmëve” është i rëndësishëm, por me këtë gjyqsor s’ka shanse.

Njëherësh Klosi thotë se Berisha përmes kërcënimeve me destabilitet kërkon të bëjë politikë përmes terrorit dhe revolta.
 
Janë shtuar organizatat islamike të cilat merren me furnizimin e grupeve islamike muhaxhidinë që luftojnë në Siri. Rasti më i fundit, e tregoi këtë. Shkaku i këtyre “rrjedhjeve” drejt Sirisë dhe cilat mund të jenë masat e shtetit e organeve ligjzbatuese?

Tani lufta në Siri po bëhet kryesisht nga formacione islamikë, prandaj nuk është për t’u çuditur që ka dhe nga Shqipëria. Në këtë drejtim nuk është e arsyshme të kërkohen masa nga shteti shqiptar. Opinioni publik dhe sidomos Komuniteti mysliman duhet të shtojnë propagandën për t’u treguar "mëndjeve të prishura" se Allahu nuk kënaqet kur sheh që myslimanët vriten me myslimanë të tjerë, në Siri.
 
Vendet anëtare të BE e shtynë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë për në qershor. Mendoni se këto elementë mund të ndikojnë negativisht, aq më tepër dhe kur vetë kryeministri ka thënë se ka vende skeptike që na paragjykojnë si vend mysliman?

Nuk e di se kush ka qënë arsyeja e vërtetë që u vendos për shtyrjen e dhënies së statusit për Shqipërinë, megjithate nuk më besohet se lidhet disi me myslimanizmin e një pjese të besimtarëve shqiptarë. Unë mendoj se Shqipërisë i bën mirë që t'i përbushë me të vërtetë detyrimet e statusit, duke besuar se përmbushja e këtyre detyrimeve është më e rëndësishme për shoqërinë shqiptare, se sa marrja formale e statusit.
 
Ka disa kohë që kanë dalë në skenë elementë te terrorit, siç ishte rasti i venies së tritolit në linjën e tensionit të lartë në Milot por dhe marrjen në mbrojtje nga opozita e autorëve të këtyre akteve. Si e komentoni këtë rigjallërim të terrorit, dhe cila duhet të jetë sjellja e shtetit për t’i parandaluar ato?

Populli ka një shprehje të shkurtër, por kuptimplotë: "ujku mjegull do”. Aktivizimi i këtyre grupeve, që kujtuam se ishin bërë "shtetarë", tregon se është e vërtetë dhe shprehja tjetër që thotë: "ujku qimen ndërron, por zakonin s'e harron". Situatat e "pasigurisë" kanë qënë, dhe në kohë të shkuara, ndihmëse e politikës agresive opozitare. Thirrjet për "një revoltë të vendosur, për të rimarrë sa më shpejt pushtetin", qoftë dhe padashje, këtu të çojnë.
 
SHISH si një ndër organet në luftën kundër elementëve antishtet, mendoni se pas rotacionit ka nevojë për një reformë të thellë, qoftë dhe për të larguar militantët partiakë nga drejtimi...?

Kur forcat e reja drejtuese duan të bëjnë reforma të gjithanëshme për europianizimin dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve, dhe SHISH, si pjesë e këtyre institucioneve duhet të bëjë përpjekjet e tij. Se për ç'ndryshime ka nevojë kjo përcaktohet nga detyrat që i përcakton ligji dhe nga prioritetet që përcaktojnë "punëdhënësit e tij", pra Kryeministri dhe Qeveria. Nëse, situatat e reja të sigurisë dhe detyrat përkatëse do të kërkojnë, sipas meje e kërkojnë, dhe SHISH duhet të bëjë reformat e tij, më parë në koncepte e pastaj dhe në strukturat.
 
Meqënëse jemi tek integrimi në BE, mendoni se lufta kundër korrupsionit duhet të përfshijë modelin kroat, Italian dhe rumun, që dënuan zyrtarët apo zyrtarët më të lartë deri kryeministra, për të dhënë provat se Shqipëria është gati për të marrë  statusin dhe për të hapur negociatat?

Lufta kundër korrupsionit është një detyrë e vazhduar e të gjitha shoqërive. Është fakt që korrupsioni është një plagë e rëndë në të gjitha vendet që kaluan dhe po kalojnë transformime të rëndësishme shoqërore. Duhet të pranojmë se plaga bëhet akoma më e dhimbshme kur në korrupsion janë implikuar figura të rëndësishme të shtetit, siç ka ndodhur tek ne.

Në këto kondita, pranimi i egzistencës së "të paprekshmit" e bën luftën kundër korrupsionit false dhe të pabesueshme në sytë e popullit, duke bërë, faktikisht, efektin e kundërt me atë që shoqëria pret. Një gjë është bërë e qartë, pakënaqësitë më të mëdha në Europë për pranimet e fundit (e kam fjalën për Rumaninë dhe Bullgarinë), lidhen me korrupsionin e paluftuar në këto vende. Europianët boll kanë problemet e tyre me korrupsionin, pse do të pranonin dhe vënde të tjera, që nuk kanë dhënë  prova bindëse në këtë drejtim.
 
Po lirohet një nga një të akuzuarit për abuzim me pushtetin, si kreu i bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu, etj. Mendoni se me këtë gjyqësor mund të arrihet një luftë efikase ndaj krimit dhe korrupsionit dhe çfarë duhet bërë për reformën në drejtësi?

Qeveria, me gjyqësorin duhet t'i bëjë mirë llogaritë, është ajo pjesë e shtetit që me siguri do të përpiqet ta sabotojë çdo përpjekje për ta bërë këtë vënd. Në të gjitha sondazhet e bëra nga brënda dhe nga jashtë, të gjithë e kanë vënë gishtin tek gjyqësori, si segmenti më i korruptuar i shtetit shqiptar. Në këto rrethana, do të ishte e pabesushme, që dikush të shpresojë, që gjyqësori do të ndihmonte në luftën kundër korrupsionit, sepse do të duhej të "hante bishtin e vet". Provat e para për këtë përfundim i kemi parë ditat-ditës, që në ditët e para të funksionimit të Qeverisë së re.
 
Opozita e më konkretisht Berisha e Basha si drejtues të saj janë shprehur për revoltë ndaj qeverisë. Mendoni se këto deklarata të tilla nxisin elementin kriminal që të veprojë, dhe të destabiliziojnë vendin e cilat duhet të jenë masat parandaluese?

Kjo që po bëjnë Berisha e Basha është maksimumi që mund të bëhet në deklarata publike, të tjerat "këshillohen" në rrethe më të ngushta. Problemi s’është vetëm tek elementi kriminal në kuptimin ligjor të këtij termi, problemi është më i gjërë, e kam fjalën për një nxitje të mosbindjes "qytetare", që menaxhohet për qëllime të pastërta politike. Zgjidhjen, unë nuk e pres nga "mendimi racional" i berishizmit, e pres nga mobilizimi i përgjithshëm i vendit që nga Parlamenti, institucionet rend-ruajtëse dhe deri tek opinioni publik, për t’i vënë përballë veprimeve destabilizuese forcën e shtetit, ligjit dhe opinionit të shoqërisë. 
 
Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)