TIRANE- “Sot më shumë se kurrë ia kuptojmë shqetësimin ish-kryebashkiakut Rama. Paaftësinë e tij në menaxhimin e punëve të këtij vendi dhe mbajtjen e premtimeve kërkon ta fshehë me luftën politike ndaj Bashkisë. Por sot, qytetarët e Tiranës bëjnë lehtësisht dallimin mes Bashkisë në shërbim të tyre dhe asaj në shërbim të Ramës”. Kështu iu kundërpërgjigj nënkryetarja e Bashkisë, Nevila Xhindi, akuzave të ish-kryetarit të Bashkisë, kreut aktual të qeverisë Edi Rama. 

Xhindi e ka bërë deklaratën para medias, ndërsa ka folur për arritjet e Bashkisë në kryeqytet.

Sipas Xhindit në 2 vite e gjysmë kryeministri Rama, është shprehur se kanë munguar investimet në Tiranë nga Bashkia, ndërsa ka përmendur projektet e realizuara deri më tani.

Në fjalën e saj, ajo renditi një sërë arritjesh në disa sektorë të ndryshëm, si kanalizimi dhe ujësjellësi dhe sektorë të tjerë jetik në vend.

“Sot më shumë se kurrë ia kuptojmë shqetësimin ish-kryebashkiakut Rama. Paaftësinë e tij në menaxhimin e punëve të këtij vendi dhe mbajtjen e premtimeve kërkon ta fshehë me luftën politike ndaj Bashkisë. Por sot, qytetarët e Tiranës bëjnë lehtësisht dallimin mes Bashkisë në shërbim të tyre dhe asaj në shërbim të Ramës”, u shpreh Xhindi.

Ajo bëri të ditur se “Është investuar në 48 projekte rrugësh, nga të cilat 38 kanë përfunduar 10 janë në përfundim. Janë ndërtuar 16 km gjatësi lineare rrugë urbane, është investuar në 16 blloqe banimi, 7 kanë përfunduar dhe 9 janë në proces.  Në këto zona krijohen sipërfaqe të gjelbra me një total prej 25792 metra katrorë dhe disa kënde sportive. Në dy vjet janë mbjellë 16 mijë pemë dekorative”.

XHINDI: 1809 FAMILJE PËRFITUESE NË PROGRAMIN E STREHIMIT
Sipas Xhindit, Bashkia e Tiranës ka investuar edhe më tej. “Në programin e strehimit, banesa me kosto të ulët ka gjithsej 1809 familje përfituese”, bëri të ditur Xhindi, duke shtuar se Bashkia ka përfunduar të gjitha procedurat dhe i ka hapur rrugën edhe hipotekimit të 175 ojekteve në Tiranë, me përfitues afro 40 mijë qytetarë.

Ajo bëri të ditur edhe se është hartuar Plani Urbanistik i Tiranës, “i cili mungonte prej 23 vjetësh”.

Bashkia, sipas Xhindit, ka investuar edhe “në ndërtimin dhe rindërtimin e 23 çerdheve, kopshteve dhe shkollave”. “Aktualisht kanë përfunduar 7 dhe janë në proces 16 objekte të tjera. Në 48 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme përfundoi vënia e elementëve të sigurisë rrugore. Në 13 shkolla të mesme të përgjithshme të qytetit të Tiranës janë instaluar kamerat e sigurisë për vëzhgimin e perimetrit të shkollave”.  
Sipas saj, në ujësjellës janë realizuar 138 projekte, ndërsa familjet që janë lidhur me këtë rrjet janë 9 mijë.

“Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës kanë realizuar 138 projekte. Numri i familjeve të kryeqytetit që janë lidhur për herë të parë me rrjetin e ujësjellësit është 9000”, tha Xhindi.
Më tej ajo shtoi se viti që sapo lamë pas është viti i projekteve strategjike.
 
MENAXHIMI I MBETJEVE, 15 KOMPANI TË INTERESUARA PËR KONÇESIONIN E SHËRBIMIT
“Viti 2013 ishte viti i zbatimit të projekteve strategjike të qytetit të Tiranës, duke nisur me projektin e zgjatimit të bulevardit verior dhe ai i rehabilitimit të lumit të Tiranës. U zhvendos linja e tensionit të lartë në bulevardin ‘Zogu i Parë’. Brenda këtij viti do të nisin procedurat e konçesionimit të stacionit të ri multimodal të pasagjerëve në qytetin e Tiranës, i cili do të jetë stacioni i tramit, i autobusëve interurbanë, furgonëve, taksive,etj. Bashkia, në bashkëpunim me IFC ka përfunduar studimin e fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve. 15 kompani kanë shprehur interes për marrjen me konçesion të këtij shërbimi. Ka përfunduar “Studimi i fizibilitetit dhe projekti paraprak i tramit për linjën “Kinostudio- Kombinat” dhe është drejt përfundimit studimi për dy linjat e tjera.
 
“NË DY VJET E GJYSMË, 3641 BIZNESE TË REJA”
“Në dy vjet e gjysëm në Bashkinë e Tiranës rezultojnë sipas statistikave të institucioneve qendrore financiare 3641 biznese të reja dhe afro 19 mijë të punësuar. Për herë të parë në historinë e pushtetit vendor në vend, Bashkia e Tiranës ka hapur një portal punësimi  e cila deri tani ka ndërmjetësuar punësimin e afro 915 qytetarëve të Tiranës. Për herë të parë Bashkia ka vënë në funksionim një fond garancie për të nxitur hapjen apo zgjerimin e bizneseve nga qytetarë nën moshën 35 vjeç”, tha Xhindi.

Ajo bëri të ditur se nga ana e Bashkisë “është vënë në funksionim linja e re ‘Kombinat – Qendër – Kinostudio’ me kushte optimale transporti për qytetarët”.

“Tirana ka sot një nga qendrat më moderne në rajon dhe të vetmen në Shqipëri, të Kontrollit të Trafikut Urban, publik dhe privat. Ky bilanc pune i realizuar vetëm në dy vjet e gjysëm natyrisht që e shqetëson ish- kryebashkiakun, pasi tregon qartë kontrastin mes motos ‘shumë punë e pak zhurmë’ të Bashkisë sot dhe motos ‘shumë zhurmë e pak punë’ të Bashkisë dje dhe qeverisë sot”, përfundoi nënkryetarja e Bashkisë, Xhindi.
 
Redaksia Online
(e.s/b.g/shqiptarja.com)