Xhirimet kanë nisur, filmi shqiptar “Misioni” me yje të kinematografisë botërore, Sanchez e Baldwin: Shqipëria ka shumë për t’i thënë botës!

Çaku i parë ka nisur prej fundit të nëntorit…Skenari i Andi Delianës “Misioni” (“My mother is a cosmonaut”), mbështetur nga Qendra e Kinematografisë, po ekranizohet, nën regjinë e tij…

“Është bazuar në një ngjarje të trilluar, por e inspiruar nga copëza historish të vërteta. Veçmas vendosur në një kontekst politik krejtësisht të vërtetë. Bëhet fjalë për fundin e Epokës Komuniste në Shqipëri, por edhe në Evropën Lindore. Kemi historinë e një familje që ndahet pikërisht kur Evropa pritet të bashkohet”, rrëfen regjisori e skenaristi Andi Deliana.

Një kast i përzgjedhur aktorësh, mes të cilëve yjet e kinematografisë, Natalia Sanchez dhe William Baldwin i japin jetë personazheve e një historie shqiptare…

“Pjesa më e madhe zhvillohet në Shqipëri, në Tiranë, por ka edhe pjesë që zhvillohen në Francë dhe në Nju Jork. Familja për të cilën flasim, është një familje e kamur në Tiranë, dhe e pozicionuar mirë politikisht e që kanë një sërë favoresh që të tjerët nuk i kanë. Pra flitet për njerëz që kanë qenë pushtet në atë periudhë, dhe dyzimin e tyre, ata që kanë dashur të vazhdojnë idealet e tyre, se kanë besuar ose se e shohin si të vetmen mënyrë mbijetese, dhe pjesa tjetër që nuk besojnë më në ato ideale dhe duan të shkëputen”, tregon më tej Deliana.

Regjimi komunist është në grahmat e fundit… ndërsa një mision hapësinor i sajuar, ku do të përfshihen skena edhe nga Qendra për Kërkime Hapësinore në Francë, bëhet zanafilla e një zinxhiri intrigash të funksionarëve në diktaturë… Sançes nuk e fsheh entuzizazmin për këtë histori, që sipas saj, nuk duhet humbur…

“E adhurova këtë skenar, këtë histori! Mendoj që Shqipëria dhe Ballkani kanë shumë për t’i thënë botës dhe është një privilegj për mua si aktore e njeri t’u jap zë, atyre që nuk kanë”, thotë aktorja spanjolle Natalia Sanchez.

Aktori amerikan Ëilliam Baldëin, që ka luajtur në një sërë filmash e serialesh, si “Silver” apo “Fair Game”, rrëfen se po i shijon xhirimet në Shqipëri, dhe këtë histori shqiptare, që meriton të dëgjohet më tej, përmes gjuhës filmike.

“Më herët nuk kisha qenë më parë në këtë rajon, ndonëse kam udhëtuar e punuar në të gjithë botën. Ndërsa vitet e fundit po punoj në Prishtinë, Beograd dhe tani në Tiranë. Dukshëm, ju po ndërtoni diçka shumë të bukur këtu! Po përpos kësaj, mua më tërhoqi skenari, personazhi, balanca midis dramës dhe fantazisë që zhvillohet”, shprehet aktori William Baldwin.

Xhirimet e filmit, ku do të interpretojnë ‘ajka’ e aktorëve shqiptarë si Ndriçim Xhepa, Arben Bajraktaraj e Ardian Cerga, pritet të mbyllen brenda vitit 2023.

 "Misioni" është një bashkëprodhim i Red Helicopter Films, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut, Dream Factory (Macedonia), Aviva Film (Francë), NYPS (USA) dhe Euroimages.

/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje

Propozimi i Ramës për ligjin e ri për emigrantët në Britani, Spahiu: I vështirë, por nëse realizohet do ishte gjë e bukur dhe mbështetje