Një 22-vjeçar është vendosur nën hetim nga policia e Vlorës si dhe është gjobitur pasi ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë me automjetin e tij.

22-vjeçari me iniciale D. Xh., ka xhiruar gomat e automjetit të tij në zonën e njohur si ‘Kapelja’ në Vlorë. I riu akuzohet për veprat penale ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë’ dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ai u gjobit me 5200 lekë gjobë, iu mor leja e drejtimit si dhe iu sekuestrua automjeti.

“Procedohet penalisht, gjobitet dhe i sekuestrohet automjeti një drejtuesi mjeti që rrezikoi sigurinë publike me manovra të rrezikshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në ngarkim të shtetasit D. Xh., 22 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, në vendin e quajtur “Kapelja”, ka xhiruar gomat e automjetit tip “BMË”, në mënyrë të përsëritur, duke u shndërruar në një rrezik për qytetarët dhe  automjetet e tjera që qarkullonin në atë zonë, si dhe nuk i është bindur urdhrit të patrullës së përgjithshme për të ndaluar.

Njëkohësisht, shërbimet e Qarkullimit Rrugor Vlorë i vendosën këtij shtetasi masë administrative në vlerën 5200 lekë, për shkelje të neneve 139/8, 153/5, 139/3, 190/1-6 dhe 120/1-6 të Kodit Rrugor, si dhe masën plotësuese të tërheqjes së lejes së drejtimit.

Në përfundim të të gjitha veprimeve procedurale dhe administrative, u bë edhe sekuestrimi i automjetit.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia e Vlorës apelon për drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin manovrat e rrezikshme dhe sjelljet që rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve”, njofton policia.