Nuk është konceptuar si një shfaqje klasike pikturash, por si një hapësirë ndijore, ku arti lidhet me trupin, gjuhën dhe historinë. Përmes ikonografisë dhe simbolikës, Bledar Gramo në ekspozitën e tij të fundit ndërton një dialog mes imazhit dhe fjalës, duke i dhënë vizitorit një përvojë të drejtpërdrejtë.
“Numri 36 ka për mua një domethënie të veçantë. Ai lidhet drejtpërdrejt me 36 shkronjat e alfabetit shqip. Në ekspozitë kemi edhe një video që nis me fjalinë ‘Në fillim ishte fjala’, duke lidhur gjuhën me aktin e krijimit.”, thotë artisti Bledar Gramo.
Ekspozita zhvillohet në dy salla. Në të parën, publiku përballet me 36 skica figurash historike dhe fetare, si dhe me objekte që lidhen me procesin krijues të artistit. Vizitorët ftohen të ndërveprojnë me veprën, duke shtypur dhe ndërtuar fjalë përmes germave.
Kuratori Alban Kardashi thekson se hapësira e galerisë ka qenë thelbësore për realizimin e konceptit.
“Koncepti bazohet te simbolika e numrit 36: 36 shkronja të alfabetit shqip dhe 36 figura historike. Dy sallat na lejuan të ndajmë qartë dimensionin historik nga ai që e quajmë ‘tempulli i gjuhës shqipe’.”, thotë Kardashi.
Në sallën e dytë, gjuha bëhet element qendror. Imazhe në përmasa monumentale, dritë, zë dhe recitime nga aktorë shqiptarë krijojnë një atmosferë që i jep gjuhës shqipe një rol kryesor në përvojën artistike.
“XXXVI” shënon ekspozitën e fundit për këtë vit të galerisë “Gocat” dhe mbetet e hapur për publikun si një ftesë për reflektim mbi gjuhën, historinë dhe identitetin.
Komente











