Spanja e ktheu në spektakël përballjen kundër Kroacisë në Ligën e Kombeve. Protagonist absolut për kampionët e botës ishte Lamine Yamal, të cilit iu deshën vetëm 2 minuta për të zhbllokuar supersfidën në Sevillia. Megjithatë ky episod i zgjoi ballkanasait nga nisja e ngadaltë, ndërsa pa kaluar shumë barazuan me Beljo-n. Gjithsesi baraspesha edhe këtë herë zgjati shumë pak. Pubill me kokë, i asistuar nga Yamal, riktheu epërsinë për ‘La Roha-n’ dhe njëkohësisht vulosi pjesën e parë.

Në pjesën e dytë Yamal tregoi se është në superformë, duke realizuar edhe golin e tretë për Spanjën nga një kënd shumë i ngushtë. Në vijim shifrat përfundimtare do ti vuloste Nico Ëilliams, ndërsa si përfundim ballkanasit rezultuan të brishtë përballë furisë së kuqe.

Në duelin tjetër të grupit Anglia gjeti 3 pikët e para në Ligën e Kombeve pas humbjes me Spanjën. ‘Tre Luanët’ mposhtën me rezultatin 0-2 Republikën Çeke, ndërsa vendimtar ishte kartoni i kuq që Sulc mori për vendasit në pjesën e parë. Në të dytën zhbllokoi shifrat Gordon dhe Harry Kane i vulosi ato. Pas 2 ndeshjeve të para Anglia renditet e dyta në grupin 3 në Ligën A të Ligës së Kombeve me 3 pikë më pak se Spanja kryesuese dhe po aq sa Kroacia e vendit të tretë.

Zvicra ndërkohë vijon të fitojë edhe pa kapitenin Granit Xhaka. ‘Helvetët’ pas suksesit me Maqedoninë e Veriut ia dolën me rezultatin 0-3 kundër Skocisë, ndërsa vendimtar ishte kartoni i kuq që britanikët morën në minutën e 11. Në vijim Rodriguez zhbllokoi shifrat, ndërsa në pjesën e dytë vulosën shifrat Elvedi dhe Amdouni. Me këtë sukses Zvicra kryeson me 6 pikë grupin 1 në Ligën B të Ligës së Kombeve, me 2 pikë më shumë se Sllovenia që mposhti 2-0 Maqedoninë e Veriut.