Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i Prokurorisë u përballën këtë të martë me kritika të forta në një takim të përbashkët që kishin organizuar për të diskutuar mbi vlerësimet etiko-profesionale të gjyqtarëve e prokurorëve dhe dosjet e prapambetura.

Të dy Këshillat kanë detyrimin ta bëjnë këtë vlerësim, i cili shërben më pas si bazë për karrierën e magjistratit dhe emërimin e tij në pozicione më të larta në të ardhmen. Në pjesën dërrmuese të rasteve, vlerësimet në të dy këshillat, janë ende për ushtrimin e detyrës së magjistratëve në periudha kohore të disa viteve më parë. Rekordin e mban KLP-ja, e cila vetëm vitin e kaluar, gati 7 vjet pas krijimit, miratoi rregulloren për vlerësimin e prokurorëve.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, foli për një situatë alarmante ndërsa vuri në dukje se “ende konstatohet prapambetje e ndjeshme në kryerjen e vlerësimeve; ende ka magjistratë për të cilët vlerësimi nuk është kryer në kohën e duhur; ende ka procedura karriere që ndikohen nga mungesa e vlerësimeve të përditësuara. Kjo është një kambanë alarmi, sepse meritokracia nuk matet me deklarata. Meritokracia matet me procedura që mbyllen në kohë, me vlerësime që janë të besueshme, me renditje që janë të qarta, me promovime që nuk vonohen dhe me gjykata që plotësohen”.

Ai solli shembullin e dy vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, njëri që prej nëntorit 2024, për të cilët nuk është zgjedhur ende gjyqtari. “Nuk është e kuptueshme dhe nuk mund të konsiderohet normale që plotësimi i një vendi vakant në gjykatën më të lartë të vendit të zgjasë kaq gjatë, kur ligji kërkon që procedura të përfundojë brenda dy muajve”, theksoi Sadushi.

Në të njejtën linjë kritike edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani.

Në çdo rast ky proces duhet të jetë real dhe jo formal. Procesi i vlerësimit duhet ndërtuar në mënyrë të tillë që të sigurojë vlerësimin etik dhe profesional në kohë të magjistratëve. Një sistem vlerësimi etiko-profesional që nuk bazohet në meritokraci, si dhe që nuk shërben si një mjet për karrierën e magjistratit, rrezikon të dobësojë vetë themelet mbi të cilat ndërtohet drejtësia”, nënvizoi Metani.

Vlerësimi i magjistratëve nuk është një akt procedurial. Përkundrazi, vonesat janë me pasoja zinxhir mbi të gjithë sistemin. Sepse siç theksoi kreu i Gjykatës së Lartë “vlerësimi në kohë është kusht për një karrierë të bazuar në meritë; karriera e bazuar në meritë është kusht për plotësimin e drejtë dhe të shpejtë të vendeve vakante; ndërsa plotësimi në kohë i gjykatave dhe prokurorive është një nga parakushtet kryesore për uljen e backlog-ut”, një sëmundje që nuk po gjen shërim në sistemin gjyqësor. Harta e re gjyqësore e prezantuar si ilaçi çudibërës, nuk pati ndonjë efekt Shembulli më dëshpërues janë dhjetra mijëra dosje në pritje të gjykimit, që kanë zënë për fyti, veçanërisht Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm.

Për Sadushin KLGJ dhe KLP duhet ta trajtojnë vlerësimin etik dhe profesional si prioritet strategjik . Ndërsa për Metanin qasja ndaj kësaj problematike nuk kërkon vetëm vullnet të mirë, por kërkon veprim real, duke kaluar nga analiza në veprim; nga identifikimi i problematikave në zbatimin e zgjidhjeve; si dhe nga pritshmëritë në rezultate konkrete”.

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu pranoi se gjatë vitit 2025 është shënuar përparim në vlerësimet etiko-profesionale të magjistratëve, por theksoi se ritmi aktual mbetet nën pritshmëritë. “Progres ka, por kjo nuk mjafton. Në fund të vitit do të matemi nga ajo që ndjen qytetari,” deklaroi Ministri.

Një nga problemet më të mprehta, sipas tij, mbetet vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore, që në disa raste arrin deri në tre vite. “Për qytetarin, drejtësia nuk vonohet në sallë, vonohet kur nuk merr vendimin e arsyetuar,” u shpreh ai, duke riafirmuar se Ministria e Drejtësisë do të mbështesë Këshillat në çdo kërkesë të argumentuar, por duke theksuar se “përgjegjësia për rezultatet mbetet e përbashkët”.