Ylljet Aliçkaj: Pse më
intrigon falsiteti i njeriut

Ylljet Aliçkaj: Pse më<br />intrigon falsiteti i njeriut
TIRANE - Ylljet Aliçkaj do të përfaqësojë letërsinë shqipe në “Netë të letërsisë europiane 2012-2014”. Shkrimtari shqiptar është përzgjedhur në projektin “10 shkrimtarë bashkëkohorë që prezantohen mes arritjeve të letërsisë së sotme europiane”. Ky është një projekt ndërkombëtar, partneritet i Bashkimit Europian me qytetet Brno, Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius, Pragë dhe Ëroclaë, të cilët gjatë kësaj periudhe trevjeçare do alternojnë mes tyre emblemën “Kryeqyteti europian i letërsisë”.

Projekti nis më 21 Shtator të këtij viti në qytetin e Ëroclaëit, i cili atë natë merr dhe statusin “Porta hyrëse e letërsisë së sotme europiane”. Në komunikatën përkatëse të shtypit thuhet se “10 shkrimtarë të njohur bashkëkohorë nga vende të ndryshme europiane, ardhur nga gjuhë e stile të ndryshme, nëpërmjet leximeve të tyre publike, si dhe veprimtarive të tjera promovuese do mundësojnë audiencën të udhëtojë nëpër Europë, si dhe të njihet në një formë të re me vlerat e letërsisë së sotme europiane”.

10 shkrimtarët e përzgjedhur janë: Ingo Schulze nga Gjermania, Zadie Smith nga Mbretëria e Bashkuar, David Soares nga Portugalia, Ylljet Aliçka nga Shqipëria, Harkaitz Cano nga Spanja, Philippe Claudel nga Franca, Herkus Kuncius nga Lithuania, Borislav Pekić nga Serbia, Petr Sabach nga Republika Ceke dhe Colm Tóibin nga Irlanda. Me këtë rast shkrimtari Ylljet Aliçkaj flet për “Shqiptarja.com” për mesazhin që do të çojë si përfaqësues i letërsisë bashkëkohore shqipe në këtë aktivitet ë rëndësishme.
 
Zoti Aliçkaj, çfarë statusi ka fituar sot letërsia shqipe në mesin e letërsisë europiane. Është ky status shkaku që ju jeni një ndër dhjetë shkrimtarët bashkëkohorë të ftuar në Netët e Letërsisë Europiane?
-Letërsia shqipe zë vendin që i përkon vlerës dhe peshës së saj specifike. Normalisht pranohet se një vepër e mirë letrare është e mirë si për lexuesin shqiptar ashtu dhe për atë të huaj dhe se vepra e mirë ka vlera universale, të cilat mbështeten në referencat shpirtërore  e materiale të një populli në raport me kohën. Por unë kam bindjen se njohja dhe vlerësimi ndaj letërsisë së sotme shqiptare nuk përkon me vlerat reale të saj. Përveç fenomenit Kadare, një referencë e fuqishme letrare botërore, një lexues apo botues i huaj, me të cilët ne përplasemi për t’u botuar a lexuar në përgjithësi nuk e njeh Shqipërinë, apo në të shumtën e herëve i njeh si klishe ekzotike (gjakmarrja, gratë e shndërruara në burra, bunkerët apo prostitucioni…)

Është kjo një ndër arsyet, sidomos në këto kohë krizash lexuesi apo botuesi i huajt e ka të vështirë të  mirë-orientohet me vlerat apo antivlerat, të kuptojë se cila është fantazi e shkrimtarit apo një realitet i veçantë apo ku mbizotëron prirja për t’iu përshtatur perceptimit të mësipërm klishe. Në lidhje me përzgjedhjen time, ka shumë mundësi të jenë dhe rrethanat. Zanafilla e përzgjedhjes mund të ketë qenë një botim imi në Poloni, i përkthyer dhe prezantuar mjeshtërisht nga Dorota Horodyskaja, që u prit mirë nga media, ku më jep kënaqësi të përmend dhe një vlerësim për mua mjaft i rëndësishëm nga shkrimtari Richzard Kapuchinsky.
Mendoj kështu sepse nisma e parë e këtij projekti nis në Shtator të këtij viti nga qyteti polak Wroclaw, “Kryeqytet europian i kulturës-2016”.

Çfarë simbolizon për organizatorët dhe për ju “Porta hyrëse në letërsinë europiane?
-Përveç kënaqësisë së një aventure të tillë, në një plan më të gjerë, fakti që BE dhe një duzinë qytetesh europiane do të alternojnë statusin “Kryeqytet europian i letërsisë” dëshmon për një ndjeshmëri në rritje të institucioneve ndërkombëtare ndaj letërsisë, gjë që nuk ndodh shpesh.

Cilin prej autorëve të ftuar njihni më tepër dhe çfarë dini për stilin dhe arritjet letrare te këtij autori?
-Kisha dëgjuar vetëm për francezin Philippe Claudel, i cili është mjaft i njohur në Francë dhe laureat i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ashtu si dhe pjesa më e madhe e grupit të të dhjetëve.

Ju kanë thënë organizatoret pse udhëtimi bëhet pikërisht në qytetet Brno, Bukuresht, Dublin, Lisbonë, Vilnius, Pragë dhe Wroclaw?
-Po, pasi ato qytete kanë shprehur dëshirën për të qenë partnere, pra për t’iu bashkangjitur këtij projekti, që, me sa jam informuar, po e zgjeron gjeografinë e tij në qytete të tjera europiane.

Cili është opinioni juaj për arritjet e letërsisë së sotme shqipe dhe për problemet e saj?
-Është temë e gjerë. Them se problematika është e fuqishme, ashtu si dhe vetë realiteti shqiptar. Më kanë tërhequr ato vepra letrare që kryesisht kanë pasur për objekt fokusuar instrumentalizimin e ideologjisë, politikës, apo dhe fesë si një platformë apo alibi vetëjustifikimi e qenies njerëzore për të vënë në jetë interesat private, egoiste apo ato që kanë lidhje me protagonizmin, deri dhe instinktet negative, të dhunimit të dinjitetit të njeriut apo zotërimit të jetës së tjetrit. Duhet të jetë ky treguesi i nivelit të maturimit të një individi apo shoqërie në një epokë të caktuar, pra raporti midis faktorëve objektivë të përqafimit të një partie politike, ideologjike apo fetare me atë që lidhen me interesat apo egon e ngushtë  të individit. Temë e gjerë kjo, por mendoj tepër e dobishme për t’u trajtuar nga letërsia e sotme shqipe.

Së fundi, me çfarë do të prezantoheni ju vetë dhe çfarë mesazhi përcjell kjo vepër që po prezantoni?
-Unë do prezantohem me tregime. Mesazhi që më ka intriguar..... nuk e di, falsiteti i njeriut, pasi....më thoni një rast në planin individual apo dhe atë kolektiv kur individi apo një grupim politik, pse jo dhe institucional, kryen një intrigë apo padrejtësi ndaj dikujt apo një komuniteti dhe nuk e vesh atë me argumentet e pranueshme të moralit të mirë njerëzor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.08.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'