Ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi sot takime në Kryesinë e Kuvendit me deputeten demokrate Jorida Tabaku dhe me socialisten Etilda Gjonaj. Fokusi i takimit ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ky takim vjen edhe në një kohë kur ka nisur edhe procesi negociues. Shumë kapituj tashmë janë futur në procesin 'Screening', ku më i rëndësishmi është edhe Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.

Deputetja Tabaku ka zbuluar detaje nga takimi me ambasadoren, ndërsa shkruan se kanë folur për shqetësimin e opozitës për pasaportat e arta, aministinë fiskale dhe legalizimin e kanabisi. Sipas Tabakut, këto nisma duhet të ndahen, pasi bien ndesh me kërkesat për integrimin në BE.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:49
Tabaku zbulon çfarë bisedoi me ambasadoren Yuri Kim

Deputetja e PD-së, jorida Tabaku ka zbuluar temat për të cilat diskutoi me ambasadoren Yuri Kim.

“Sot diskutova me USAmbAlbania prioritetet e procesit të integrimit, rëndësinë e përfshirjes së drejtësisë. S’ka rrugë tjetër veç përmbushjes së kushteve për të sjellë ndryshimin: Lufta korrupsionit, krimit të organizuar; zgjedhjet e lira&ndershme duhet të jenë kryefjala e politikës!

Gjithashtu fokus të veçantë me ambasadoren morën dhe shqetësimet e opozitës & ekspertëve të pavarur mbi nismat e fundit qeveritare si:

Amnistia Fiskale, Pasaportat e Arta, Legalizimi Kanabisit që nuk janë projekte nën frymën e integrimit ndaj i duhet thënë stop! E angazhuar për të mbikëqyrur & kontrolluar punën e qeverisë në këtë proces; duhet ndryshuar mentaliteti administratës publike! I bëj thirrje qeverisë ta përdorë procesin e integrimit si një mënyrë për tërheqjen e mijërave të rinjve të talentuar që janë larguar nga Shqipëria”, tha Tabaku.

Ora 16:09
Takimi me Tabakun dhe Gjonajn, ambasadorja Kim mbërrin në kryesinë e Kuvendit

Ambasadorja Yuri Kim ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku do të zhvillojë një takim me deputetet Jorida Tabaku dhe Etilda Gjonaj. Në fokus të takimi do jetë integrimi i vendit.