TIRANË – Tre persona të armatosur dhe pa maska grabitën makinën e pronarit të një supermarketi në Yzberisht rreth mesditës së sotme, e cila u gjet e braktisur disa minuta më vonë në rrugën ‘Azem Meshi’.

Bëhet fjalë për një makinë tip ‘Volkswagen’ me targa TR 1239 R që u grabit nga tre persona, identiteti i të cilëve ende nuk dihet dhe janë në kërkim nga policia.

Nga informacionet e policisë, brenda kabinës së makinës u gjet edhe gëzhoja e një plumbi pistolete, që mendohet se arma është shkrepur aksidentalisht nga tre autorët. Policia sekuestroi makinën e grabitur të biznesmenit. Nga hetimet, bëhet me dije se autorët ndaluan në rrugë makinën kur ishte në ecje.

Nisur edhe nga dëshmia e pronarit të supermarketit, autorët kishin menduar se biznesmeni po transportonte shuma parash me makinën e tij. Në këtë moment, tre personat e armatosur të pa maskuar i vendosën pistoletën në kokë pronarit të makinës dhe nën kërcënimin e armës u larguan me shpejtësi.

Drejtuesi i automjetit nuk pësoi asnjë lëndim dhe menjëherë lajmëroi policinë për ngjarjen. Autorët braktisën makinën vetëm pak minuta pas ngjarjes pasi konstatuan se në makinë nuk kishte shuma parash.

Ndërkohë që po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tyre.


makina
(Në foto: Makina e grabitur e pronarit të një supermarketi qëu gjet e braktisur)


(v.gj/shqiptarja.com)