Zanfina Ismalji, besnike ndaj një dashurie të vetme

Zanfina Ismalji, besnike ndaj një dashurie të vetme
Një ndër këngëtaret më të famshme e të pëlqyera në Kosovë dhe Shqipëri është padyshim bukuroshja Zanfina Ismajli. Ajo është shquar gjithnjë për performanca të veçanta si dhe klipe e këngë të realizuara me kujdes për të pasur dashamirësinë dhe pëlqyeshmërinë e fansave të saj. Vetëm dy javë më parë Zanfina publikoi klipin më të ri “Dy minuta” në të cilin shfaqet sensuale dhe mjaft provokuese. Gjithashtu këngëtarja nga Kosova është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në një event të rëndësishëm siç është edhe “Festivali Ndërkombëtar i Ohrit”. Në një intervistë të dhënë për suplementin “THASH&THEM”, Zanfina tregon emocionet kur mësoi se ishte e zgjedhura për këtë kompeticion si dhe na rrëfen prapaskenat e koncerteve të saj. Por Ismajli nuk lë pa përmendur edhe për marrëdhënien me motrën e Adelinën dhe dashurinë e parë dhe të vetme të jetës së saj.


Zanfina, më 22 gusht do të përfaqësoni Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Ohrit, si e pritët lajmin që ishin ju e përzgjedhura për këtë kompeticion?

U gëzova shumë kur më treguan sepse është nder i veçantë të përfaqësoj Shqipërinë në mes të shteteve ballkanike, si dhe t'i kujtoj edhe një herë se shqiptarët kanë muzikën më të
bukur në Ballkan, pa dyshim. Gjithashtu ky festival, i cili ka shumë vite që mbahet në Ohër, do të transmetohet nga të gjitha shtetet pjesmarrëse, gjithashtu do jetë edhe Italia, Greqia etj.


Në më pak se një muaj keni publikuar klipin tuaj më të fundit “Dy minuta”. Jeni e kënaqur me rezultatin e arritur deri tani prej tij?

Ka dy javë që ka dalë klipi. Po unë jam e kënaqur, shpresoj që edhe publiku të jetë i kënaqur me këngën dhe ta pëlqejë.

Ju keni mbaruar studimet për drejtësi, sa hapësirë zë ky profesion në jetën tuaj?

Jo aq shumë sepse unë jam e përkushtuar totalisht me muzikën si profesion primar dhe nuk jam aspak një juriste. Gjithsesi, kam dashur të kem një diplomë dhe mos të jem pa fakultet
të kryer, kështu që realizova edhe dëshirën e familjes njëkohësisht. Në të ardhmen mendoj që të merrem me këtë profesion.

Keni qenë pjesë e koncerteve këtë verë?

Po, isha shumë e zënë, sidomos gjatë korrikut kur ishte sezoni shumë i ngjeshur dhe kam qenë gjithë kohën në udhëtime. Më shumë isha në makinë sesa në shtëpi. (qesh)

Kanë qenë vetëm në Kosovë apo keni udhëtuar edhe jashtë vendit?

Kam qenë edhe në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Gjithë kohën duke udhëtuar pastaj pak pushim në hotel për t’u bërë gati dhe vazhduar menjëherë në koncert. Janë eksperienca që nuk harrohen asnjëherë. Kënaqësia e përzier me lodhje si dhe ndodhitë që ndodhin nganjëherë më bëjnë të qesh, ndonjëherë të qaj, por në fund jam shumë e kënaqur nga mikpritja e publikut.

Është një album në planet tuaja të ardhshme?

Nuk e di, së paku një herë për njëherë jo. Është krizë e madhe edhe në këtë profesion, kështu që kur të rregullohen disa gjëra unë me shumë kënaqësi do të filloj punën me këngë të reja.

Do e shohim Zanfinën pjesë edhe të festivaleve dhe kompeticioneve muzikore shqiptare këtë vit?

Jo, nuk e besoj se do marr pjesë. Gjithmonë festivalet i kam parë si një lloj promovimi për
talentet e rinj që dalin, prandaj i shikoj me shumë kureshtje në televizor.

Motra juaj Adelina, kohët e fundit i është rikthyer skenave shqiptare dhe kosovare,e shihni
atë si një konkurrente?

Ne jemi motra nuk e shohim njëra-tjetrën në atë mënyrë asnjëherë.

Sa të lidhura jeni me njëra-tjetrën?

Jemi aq të lidhura sa do të ishin dy motra të zakonshme.

Do të ketë ndonjë duet tjetër nga motrat Ismajli?

Të shohim, asnjëherë nuk i dihet të ardhmes.

Nuk jeni prononcuar shpesh për jetën tuaj sentimentale, e në fakt është dikush i rëndësishëm në jetën e Zanfinës në këto moment?

Jam prononcuar më rrallë që mos të më cënohet privatësia, sepse e ruaja dhe e ruaj gjithmonë. Por në të vërtetë në jetën time është ai person që ka qenë edhe shumë vite më parë. Jemi bashkë prej shumë vitesh, madje është i dashuri im i parë.

Jeni e kënaqur me karrierën tuaj muzikore deri tani?

Po jam, por unë gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja. Asnjëherë nuk jam 100% e kënaqur me veten.

Në qoftë se do t’iu jepej mundësia çfarë do të ndryshonit?

Nuk do ndryshoja diçka nga e kaluara sepse ajo kohë tashmë ka shkuar.

Cili është ndonjë pasion i fshehtë i Zanfinës?

Kam disa, por të ndryshme shumë nga njëra-tjetra. Do kisha pasur dëshirë të merrem me
ndonjërën nga to në të ardhmen.

Kush ka qenë mbështetja juaj më e madhe në muzikë?

Nëna, që nga dita e parë e deri më tani. Ka qenë me mua në çdo xhirim klipi, emisioni, në
radio, në regjistrime këngësh etj. Falë saj në asnjë moment nuk jam ndjerë e vetmuar apo pa kurajo në çdo hap të karrierës që kam bërë.

Në çdo klip tuajin ju shohim në formë të mrekullueshme dhe me një pamje të kuruar në
detaj. Kujdeseni kështu edhe në jetën e përditshme?

Eh po të kujdesesha aq shumë. Mendoj se do të ishte e tepërt dhe sa herë që kam shumë grim në fytyrë prej xhirimeve të ndryshme, disa ditë pastaj e lë fytyrën që të pushojë duke
mos vënë as rimel. Kur kam më shumë dëshirë, normalisht që rregullohem sepse dua
që së pari unë të ndihem mirë me veten.

Keni ndonjë person specifik që merret me kurimin e imazhin tuaj ndoshta edhe me anë të
këshillave?

Motra Ema më këshillon shumë rreth rrobave që vesh gjatë paraqitjeve të ndryshme, ndërsa sa
i përket grimit dhe flokëve kam bashkpunëtorët me të cilët bashkpunoj prej shumë vite.

Keni pushuar këtë vit?

Jo, por do doja të shkoja disa ditë e relaksohem mirë dhe gjatë.

Si pritet të jetë shtatori për Zanfinën, cilat janë planet tuaja më të afërta?

Nuk e di ende sepse nuk bëj plane afatgjata, friksohem se më dështojnë nëse bëj plane me
herët dhe para kohe.

Si është një ditë e zakonshme për Zanfina Ismajlin?

Dita ime e zakonshme fillon vonë sepse jam gjumashe dhe flej më shumë ditën e më pak
natën. Nuk dal shumë, më pëlqen të qëndroj në shtëpi dhe nuk bëj ndonjë gjë të veçantë.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

 U hetua se lejoi kultivimin e kanabisit në Mallakastër, Gazmir Preçi 3 vite më pas Shef Antidroge në Durrës! Arrestohet për gjobëvënie ndaj pronarit të një lokali nate

U hetua se lejoi kultivimin e kanabisit në Mallakastër, Gazmir Preçi 3 vite më pas Shef Antidroge në Durrës! Arrestohet për gjobëvënie ndaj pronarit të një lokali nate