KUKES- Rruga e vetme që lidh 57 familje të fshatit Lojme në Zapod me qytetin e Kukësit është e bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve. Pas reshjeve të dendura të shiut të dy ditëve me parë, probleme të mëdha janë shkaktuar edhe në komunën Zapod, ku nga rrëshqitja e gurëve janë bllokuar rrugët që lidhin fshatrat me rrugën kryesore drejt qytetit të Kukësit. Në një lidhje telefonike për televizionin “A1 Report”, kryeplaku i fshatit Lojmë, Fatmir Qerimi, thotë se ka kontaktuar me Prefektin dhe me kreun e Komunës Zapod, por ende nuk është ndërhyrë për të normalizuar situatën. Qerimi thotë se nga Komuna i janë përgjigjur se nuk disponohen fondet e nevojshme për zgjidhjen e situatës.
 
Por një tjetër qëndrim shpreh Prefekti i qarkut Safet Gjici, i cili i kontaktuar nga “A1 Report” tha se situata në Zapod është më normale nga sa paraqitet, por thotë se rruga është e dëmtuar dhe e paasfaltuar.
 
“Jam vënë në dijeni, grupi emergjencës civile po merret po atë punë. Për të zhbllokuar aksin e rrugës. Rruga nuk është bllokuar, por nuk është në standardet e duhura. Me atë rast po ndërtojmë cik edhe rrugën”, tha Prefekti Safet Gjici.
 
E megjithatë, kryeplaku i fshatit Lojme ngriti shqetësimin se bllokimi i rrugës ka krijuar shqetësime për banorët e zonës, për faktin se ata nuk mund t’i drejtohen qytetit për të marrë trajtim mjekësor apo shërbime të ndryshme, pasi për të dalë në rrugën kryesore u duhet të ecin 2 orë në këmbë.

Dy orë pas denoncimit, zhbllokohet rruga
Vetëm dy orë më pas, Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës Kukës, Abdulla Domi, tha për “A1 Report” se në zonë u dërguar mjetet e nevojshme të cilët bënë të mundur zhbllokimin e rrugës.
 
“Nuk ka rrëshqitje masive, nuk ka bllokim të rrugës, por ka patur një bllokim të pjesshëm të saj si pasojë e rrëshqitjeve, dhe në këto momente që flasim (20:20), rruga është zhbllokuar”, tha Domi.

 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)