Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në Athinë, ndërsa Papademos ka qenë në makinë bashkë me shoferin dhe dy persona të tjerë kur ka ndodhur shpërthimi.
Sipas të dhënave nga mediat greke shpërthimi ka ndodhur nga një zarf bombë brenda makinës së ish-kryeministrit.
Lënda plasëse ka qenë brenda në zarf, të cilin Lukas Papademos e ka firmosur dhe e ka marrë vetë nga zyra për ta hapur në makinë, ku ndodhi edhe shpërthimi.
Shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës që makina ka qenë në ecje.
Sipas mediave greke gjendja e ish-kryeministrit është jashtë rrezikut edhe pse ka marrë shumë plagë në të dyja këmbët, bark dhe në duar.
Gjithashtu mediat raportojnë se është plagosur edhe shoferi i ish-kryeministrit grek dhe një nga personat e tjerë që ishtë në makinë, ky i fundit dyshohet të jetë zyrtar banke.
Lukas Papademos ka qenë kryeministër i një qeverie teknike në Greqi nga nëntori i 2011 deri në maj të vitit 2012 në krizën e thellë ekonomike.
Dyshimet e para për sulmin ndaj tij janë për anarkistët, të cilët kanë kundërshtuar masat e BE pas krizës ekonomike.
Në ditët e fundit Greqia është përfshirë në disa protesta, ndërsa nuk kanë munguar edhe sulmet ndaj institucioneve dhe policëve.
Askush nga organizatat nuk e ka marrë pësipër sulmin kundër Papademos, ndërkohë kujtojmë se dërgimi i fundit i një zarfi bombë, nisur për Ministrin gjerman të Financave Wolfgang Schaeuble, u kap dhe u shkatërrua në Berlin përpara se të mund të shpërthente.
Grupi ekstremist i majtë “Betim i Celulave të Zjarrit”, mori përgjegjësinë e asaj dërgese për Ministrin gjerman.
[gallery]22445[/gallery]
Ish kryeministri grek Lukas Papademos
Profil/ Kush është ish-kryeministri që u plagos
Lukas Papadimos ka lindur në 11 tetor 1947 në Athinë. Profesioni i tij është ekonomist, ish-guvernator i Bankës së Greqisë dhe ish-zëvendëspresidenti i Bankës Qendrore Evropiane (2002-2010).
Lukas Papadimos, është një figurë e respektuar gjerësisht në Greqi, me një prapavijë të fortë në fushën akademike dhe atë të financave.
I arsimuar në SHBA gjatë viteve 1970. Ai ka një diplomë në fizikë, një master në inxhinieri elektrike dhe një doktoraturë në ekonomi.
Papademos ka mbajtur pozita akademike në Universitetin e Columbias, Universitetin e Harvardit dhe Universitetin e Athinës.
Më pas ai punoi si ekonomist pranë Bankës Federale të Bostonit. Me Bankën e Greqisë u bashkua në vitin 1985 duke ngjitur shkallët nga si zëvendësguvernator në vitin 1993 dhe guvernator i saj, në vitin 1994.
Ai mori drejtimin e qeverisë teknike greke në fund të 2011 deri në maj të vitit 2012, një periudhë e vështirë ekonomike-politike.
Ish kryeministri grek Lukas Papademos