Zbatimi i një prej aspekteve të planit të dyshuar të BIA-s serbe dyshohet nisi më 30 shtator 2025 me publikimin e një paralajmërimi në profilin "Pa Rrotlla" të gazetarit Milaim Zeka për audio-incizime dhe transkripte bisedash të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, materialet ishin siguruar nga Fatmir Sheholli në koordinim me zyrtarin e BIA-s serbe, Bojan Dimiq.

Në dosje, Prokuroria pretendon se materialet ishin të destinuara për komprometimin e ministrit Nenad Rashiq dhe zyrtarëve të ministrisë së tij, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.

Sipas aktakuzës të cilën e kanë zbardhur mediat në Kosovë, Sheholli ia dorëzoi këto materiale gazetarit Milaim Zeka për publikim, ndërsa ky i fundit dyshohet se mori 1 mijë euro. Dosja pretendon se, pas dorëzimit të materialeve, Bojan Dimiq kontaktoi Shehollin për t'u interesuar nëse ato ishin publikuar, ndërsa më 1 tetor 2025 Sheholli i përcolli Zekës kërkesën e zyrtarit të BIA-s që publikimi të bëhej më herët.

Në aktakuzë janë përfshirë edhe biseda të transkriptuara mes Shehollit dhe Zekës. Sipas Prokurorisë, Sheholli i shkruan: "Më tha ai shoku (Dimiq) veç thuj ma herët qite mos i vono si prom."

Po sipas dosjes, Milaim Zeka i përgjigjet: "Hajt bre thuj atij mos mu përzi, thuj ka thonë Mili mos mu përzi se nuk i qes hiq, qetash gjysë orë në Klan Kosova ja kushtoj qetyne seneve."

Gjatë marrjes në pyetje, Prokuroria e pyeti Shehollin nëse Milaim Zeka kishte dijeni se materialet ishin siguruar nga Bojan Dimiq. Sipas procesverbalit të cituar në aktakuzë, Sheholli deklaroi se Zekës i kishte thënë se ato vinin nga "një ish-punëtor i Gizit", por se gazetari nuk kishte dijeni për komunikimet e tij me Dimiqin. Në të njëjtën deklaratë, Sheholli pretendon se Zeka i kishte kërkuar "3-4 mijë euro për përkthim, editim dhe publikim" të materialeve.

Dosja përshkruan edhe bisedat e zhvilluara nga Sheholli me familjarët pas arrestimit të tij. Sipas Prokurorisë, në këto komunikime ai pranon se në Mitrovicën e Veriut kishte marrë një USB, transkripte dhe 5 mijë euro, materiale që më pas, sipas deklarimit të tij, ia dorëzoi Milaim Zekës së bashku me 1 mijë euro për publikimin e tyre.

Pas publikimit të aktakuzës, gazetari Milaim Zeka reagoi në emisionin "FIVE" në TV Dukagjini, ku dha versionin e tij për materialet dhe shumën prej 1 mijë eurosh që përmendet në dosjen e Prokurorisë.

Duke folur për materialet në gjuhën serbe, ai tha se i ishin prezantuar si materiale nga GIZ-i gjerman.

"Unë e kam marrë nga dikush brenda GIZ-it… Mos harro që në këto shoqata humanitare, të ashtuquajtura humanitare, ka agjentë të lartë të shërbimeve nga vijnë".

Për shumën prej 1 mijë eurosh, Zeka dha një version tjetër nga ai që përshkruhet në aktakuzë.

"Gjatë bisedës me Fatmirin, i kam thënë nuk e njoh gjuhën serbe dhe duhet me i marrë dhe t’i përkthejmë. Tash, po të them për herë të parë, që ato 1 mijë euro kanë qenë për përkthime, që ky vet e deklaron. Që ditën e parë kur më ka marrë në pyetje policia, që i kam marrë 1 mijë euro, të cilat ia kam kthyer Shehollit para arrestimit. Pasi përkthyesi nuk ka pranuar pagesë. Ia kam dhënë paratë një personi të afërt të Fatmirit", deklaroi gazetari.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë


Lajmi kryesor:

Akuzohet se spiunoi për BIA-n serbe, analisti Fatmir Sheholli merret i pandehur! Dokumenti 'Top Secret' në celularin e tij zbardh planin për radikalizëm Islamik në Kosovë