Zbardhen porositë e Ramës në
mbledhjen me dyer të mbyllura 

Zbardhen porositë e Ramës në<br />mbledhjen me dyer të mbyllura 
Partia Socialiste nuk ka ndërmend të ndryshojë ligjin e sapo miratuar të dekriminalizimit, duke rrëzuar kështu një tjetër kusht të opozitës për rikthimin e saj në parlament. Nisma e PD-së që i referohet rastit “Prenga” kërkon pezullimin e mandatit të zyrtarit kur ai kapet në flagrancë për krime të caktuara, pritet të rrëzohet sot në komisionin e ligjeve. Ditën e djeshme, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryetari Edi Rama ka kërkuar nga deputetët e këtij komisioni të mos bëjë asnjë ndryshim për ligjin.

Dekriminalizimi dhe drejtësia

“Të mos tolerohet asnjë ndryshim të ligjin për dekriminalizimin.  PD po krijon artifica dhe ne mund të bëjmë kompromis për çështje të caktuara, por jo për ligjin”,-mësohet të ketë thënë Rama në mbledhjen me dyer të mbyllura. Pasi ka marrë fillimisht informacion nga deputeti Pirro Lutaj, në mungesë të Xhafajt, dhe më vonë me raportimin e këtij të fundit kur ju bashkua mbledhjes, PS ka rënë dakord ta rrëzojë këtë nismë të PD-së.

Po ashtu, Rama ka sqaruar deputetët se PD po kërkon argumente për të vonuar reformën në drejtësi. “Ky presion i PD-së është i qartë për të mos votuar reformën në drejtësi. Ajo nuk  e do këtë reformë dhe vendos shkopinj nën rrota për të na penguar në hapjen e negociatave. Duan apo nuk duan ata, ne do të bëjmë punën tonë në këtë drejtim dhe do të ecim përpara duke ju referuar vetëm rekomandimeve të Venecias”-mësohet të këtë thënë Rama.

Mandatet

Në mbledhjen e grupit të PS-së, ku Rama ka mbajtur një fjalë të gjatë, është shprehur edhe për mandatet e dy deputetëve, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. “Ne nuk kemi pse dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese mandatet e dy deputetëve që nuk kanë konsumuar asnjë shkelje. Kështu vlerësojmë ne. Nëse ata vlerësojnë ndryshe, le ta dërgojnë këtë çështje në gjykatën kushtetuese vetë. Aq firma sa për ta bërë këtë gjë e kanë. Kjo është thjesht një tekë dhe ne nuk do të rendim pas tekave të tyre”-ka thënë Rama, duke paralajmëruar kështu se këtë të enjte mund të mos dërgohet në Kushtetuese mandati i të paktën Valentina Leskajt që vullnetarisht është shprehur për hapjen e kësaj rruge.

Elvis Roshi

Në një tjetër pikë të diskutimit të tij me deputetët, Edi Rama është ndalur tek puna e kryebashkiakëve, duke specifikuar njërin që është sipas tij model. Në këtë rast, Rama i është referuar Elvis Roshit, një prej njerëzve më të atakuar nga opozita, të përfshirë në listën që ata e quajnë të inkriminuarit e majtë. “Ka një kryebashkiak në Shqipëri që të gjithë duhet ta marrin shembull. E kam fjalën për Elvis Roshin, kryetarin e Bashkisë së Kavajës. Të gjitha projektet e programit “Rilindja urbane”, jo vetëm që i ka realizuar në kohë, por ka arritur të kursejë 40 % të buxhetit të parashikuar. Pra, puna është bërë mirë, dhe fondet janë mirë menaxhuar. Këtë frymë duhet ta nxisim tek të gjithë kryebashkiakët e tjerë, që të mos vijnë të ankohen, por të shkojnë të bëjnë punën”-ka thënë Rama.

Pronat

Një vëmendje të veçanta Rama i ka kushtuar në mbledhjen e grupit parlamentar nismës më të re të qeverisë, shpërndarjes së tapisë për tokat bujqësore. “Deputetët duhet të nxisin kryebashkiakët, e bashkë me ta, duhet të dilet në terren e të orientohen banorët se si mund të përfitohet certifikata e pronësisë së tokave bujqësore. Është një program i ngjashëm me atë të legalizimeve, që është krejtësisht falas. Banorët nuk e kanë të qartë procedurën dhe ka nevojë për ndihmë dhe orientim nga ju. Po ashtu, fermerët duhet të njihen me skemat mbështetëse të bujqësisë që qeveria jep, kështu që duhet një punë më intensive në këtë drejtim”-ka thënë kryeministri Rama.

Referendumi

Rama ju ka kërkuar deputetëve angazhim më serioz sa i takon referendumit të kësaj të shtune. “Duhet ta merrni seriozisht këtë punë. Ka shumë rëndësi pjesëmarrja. Nuk dua të ketë fiktivitet dhe ju kërkoj të numërohet sinqerisht çdo votë. Në këtë referendum nuk ka rëndësi rezultati, por procesi. Socialistët nuk do të votojnë vetëm për një pyetje. Ka rëndësi të kuptohet rëndësia e votës së socialistëve”-është shprehur Rama. 


Referendumi i PS, Balla thirrje për pjesëmarrje masive

Referendumi i së shtunës ka marrë të gjithë vëmendjen e kupolës drejtuese në Partinë Socialiste, por edhe në bazë me qëllimin final një pjesëmarrje sa më masive. Mësohet se deri të enjten, në qëndrat e votimit do të afishohen listat e anëtarësisë. Nënkryetari Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla e shikon referendumin si “ushtrim demokratik, të cilin kjo forcë politike, e fut në jetën politike të partive për herë të parë”.

Ai  theksoi se kjo zgjidhje e miratuar nga  Kongresi do t’u japë fund debateve të brendshme për mandatin e kryetarit. “Partia Socialiste është një gjë shumë e madhe ku vendimmarrjet tona me rendësi të veçantë të jenë ekskluzivitet vetëm i forumeve drejtuese. Referendumi i kësaj fundjave në Partinë Socialiste, përveçse vendimmarrja e përbashkët për një çështje me rëndësi të veçantë, është hapja e një rruge të re në përfshirjen e çdo anëtari të familjes sonë të madhe politike”, thotë Balla.

Socialistët me ‘PO’ ose ‘JO’ do t’i japin përgjigje pyetjes “Kur PS është në qeveri dhe kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit?”. PS nuk bëri fushatë për referendumin, i cili kundërshtohet nga Ben Blushi dhe mbështetësit e tij, të cilët javën e shkuar nga Shkodra shpallën 20 arsye përse socialistët nuk duhet t’i përgjigjen thirrjes së Kongresit.

Redaksia online
(l.q/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës

Ylli Pata: Logjika politike e guerriles së senatorëve të Sali Berishës