Policia e Elbasanit ka vënë në pranga shoferin që katër ditë më parë aksidentoi për vdekje një të ri, i cili ishte kalimtar duke shkuar në punë.

Hasan Pitja, 60 vjeç, nga Elbasani, përplasi me automjetin e tij tip Benz me targë EL 9504 BI, 24-vjeçarin Gertjan Haka

Viktima Gertjan Haka

Policia arriti në identifikimin e shoferit pas hetimeve të nisura, pasi 60-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë të riun në rrugë pa i dhënë ndihmën e parë. Automjeti i tij u gjet i parkuar në garazhin e Hasan Pitjes, me shenja dëmtimi nga përplasja.

Makina që shkaktoi aksidentin në Elbasan

Para uniformave blu shoferi ka pranuar që e ka aksidentuar të riun më 13 shkurt në aksin Metalurgjik-Elbasan, në fshatin Katund i Ri. 60-vjeçari do të hetohet për akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen", dhe "largim nga vendi i ngjarjes".

Vendi ku ndodhi aksidenti

Kohë më parë, edhe i riu që ndërroi jetë në aksident, kishte shënuar një viktimë në aksident rrugor. Gertjan Haka i kishte marrë jetën 25-vjeçarit Sajmir Lleshnaku duke e përplasur me makinë, në qershor 2018.