Edi Rama nuk ka humbur kohë në konstituimin e organeve drejtuese të partisë, të cilat u zgjodhën në Asamblenë Kombëtare. Dje në mëngjes, Rama e nisi punën me mbledhjen e 7 anëtarëve të zgjedhur të Sekretariatit Organizativ, të cilëve u tha se do të nisë menjëherë puna për ndarjen e fushave të përgjegjësive mes tyre. Dje është saktësuar detyra e çdo dikasteri, pas një sërë takimesh intensive që janë zhvilluar gjatë gjithë javës.

Të martën pritet të mblidhet kryesia e re e PS-së, për të miratuar “përshkrimin e punëve” të çdo sekretari. Burimet thanë se çdo sekretari do t;i vihen në dispozion një zyrë në selinë qendrore të partisë, dhe një staf teknik ndihmës për realizimin e detyrave të lëna në përgjegjësi. Po ashtu, Rama ka kërkuar që të intensifikohet puna deri në përcaktimin e një afati për zgjedhjen e kryetarëve në 61 degët e bashkive socialiste.