TIRANË- Pas 8 dhjetorit, edhe 11 dhjetori, dita e themelimit të Partisë Demokratike do t'i gjejë demokratët të ndarë. Disa do të jenë te Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha, e ndërsa Lulzim Basha ka hapur dyert e selisë blu dhe i ka ftuar në një festë në orën 12:00.
"Demokracia u transformua nga një koncept në një ideal të pathyeshëm në 11 dhjetor 1991, në ditën kur vlerat dhe liria e shqiptarëve triumfuan mbi gjithçka. Le të kremtojmë së bashku këtë ditë të shënuar. Selia Qendrore e Partisë Demokratike. Ora 12:00", shkruhet në ftesën e shpërndarë nga Lulzim Basha.
Gazetarja e Report TV, Danjela Maloku bën me dije se në selinë blu do të vendoset edhe një pllakatë prej xhami në të cilën do të jenë firmat e themeluesve të partisë në 11 dhjetor 1990.Nuk dihen nëse pjesë e këtyre firmave do të jetë edhe ajo e Sali Berishës, si një nga personat kyç të formimit të kësaj force politike.
11 dhjetori i këtij viti nuk do jetë vetëm dita në të cilën kujtohet 31 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike. Me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të thirrur nesër nga Sali Berisha kjo do shndërrohet në ditën në të cilën pritet të marrë përgjigje pyetja e madhe: A do jetë e shtuna e dytë e muajit të fundit të vitit dita e rithemelimit të Partisë Demokratike apo dita e ndarjes dhe e përçarjes së madhe? Ajo që dihet deri tani, është e sigurt se kjo datë do të jetë vendimtare për demokratët.
Çfarë ndodhi në 11 dhjetor 1990?
Më 11 Dhjetor 1990, datë e cila duket se në vitet e fundit po cilësohet si dita e themelimit të PD-së, përkon me takimin e zhvilluar mes një grupi studentësh, intelektualësh dhe pedagogësh me ish-Presidentin e fundit komunist Ramiz Alia, takim në të cilin ky i fundit pranoi pluralizmin. Referuar dokumenteve, më 12 dhjetor u vendos që emri i partisë të ishte Partia Demokratike dhe krijimi i saj u shpall në Qytetin Studenti në një miting që u mbajt po këtë ditë në orën 16.00. Në datat 14-15-16 dhjetor të 1990 u hartua dhe u përfundua statuti dhe më datën 17, kur edhe doli dekreti për lejimin e partive të tjera politike u dorëzuan dokumentet pranë Ministrisë së Drejtësisë ku si anëtarë themelues të PD-së figuronin 285 firmëtarë. Legalizimi i Partisë Demokratike u bë 19 dhjetor një lajm që i gjeti themeluesit në Qytetin Studenti dhe që u festua me një miting në sheshin që sot mban emrin “Demokracia”.