TIRANE - Gjyqtari Neritan Tabaku, ndaj të cilit tashmë ka nisur procedimi penal për shpërdorim detyre, ka zbardhur vetëm pak ditë më parë vendimin e marrë prej tij që çoi në lirimin nga burgu të Ilir Xhakjes. Vendimi i marrë më 9 shkurt të vitit 2011 është bërë publik, pas më shumë se një viti, vetëm pasi prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj tij, me arsyetimin se ka shpërdoruar detyrën duke mos respektuar afatin ligjor prej 15 ditësh për zbardhjen e vendimit.

Në këtë vendim të firmosur nga 3 gjyqtarët, kryetari Neritan Tabaku dhe anëtarë të trupit gjykues Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, theksohet se nuk provohet që Xhakja të ketë kryer vrasje. Kjo pasi dëshmitarët në vendngjarje të familjareve të viktimës, kanë deklaruar se ekzekutimin e bënë 2 persona të panjohur, pra nuk identifikuan të akuzuarin, edhe pse e kanë fqinj dhe e njohin mirë atë.

Një tjetër argument i trupit gjykues të kryesuar nga Neritan Tabaku është fakti se prova e vetme që lidhte Ilir Xhaken me vendin e krimit është gjurma e gishtërinjve të tij e gjetur në një gëzhojë në vendngjarje, por sipas gjykatës kjo provë është ë pavlefshme. Kjo për faktin se gëzhoja në vendngjarje nuk është bllokuar nga oficerët e policisë gjyqësore në kohën që ka ndodhur ngjarja, por është gjetur dhe sekuestruar 4 vjet pas vrasjes së shtetasit Qerim Maloku.

Një tjetër pikë ku është bazuar gjyqtari Neritan Tabaku për vendimin e lirimit të Ilir Xhakes është edhe pretendimi i të akuzuarit se në atë kohe ndodhej ne Gjermani. Këtë fakt, thuhet në vendimin e gjykatës, e ka pohuar inspektori i zonës, i cili ka dëshmuar se ka folur në telefon me të pandehurin.

Vendimi i zbardhur nga gjyqtari Neritan Tabaku, është gjetur në dosjen e sekuestruar nga Prokuroria dhe inspektorët e KLD-së, dhe nuk dihet kur është plotësuar. Inspektorët që kanë nisur procedimin penal për akuzën “shpërdorim detyre” do të hetojnë jo vetëm përmbajtjen e dosjes, por edhe afatet kur është arsyetuar vendimi. Mos zbardhja në kohë e këtij vendimi pengoi organin e akuzës të apelojë pafajësinë e Ilir Xhakes.

Ndërkaq, mësohet se shërbimi i kontrollit të brendshëm në ministri do verifikojë për mënyrën si ndërhyri policia gjatë aksionit në Shijak ku mbeti i vrarë kryekomisari Adem Tahiraj. Nga këto verifikime pritet të hidhet dritë mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë dhe përse asnjë nga efektivët e policisë që shoqëronin Tahiraj në momentin e kontrollit të makinës së nipit të Ilir Xhakes dhe më pas kur Xhakja qëlloi ndaj tij nuk reagoi. SHKB do verifikojë gjithashtu mbi skemën e ndërtimit të kontrollit ndaj automjeteve natën e 13 shtatorit. Verifikimet do fokusohen nëse ky ishte një kontroll rutinë apo një aksion i planifikuar.

Gjithashtu do vlerësohet me vëmendje fakti a lejohet që gjatë një kontrolli të tillë rutinë të merrte pjesë dhe kryekomisari i Shijakut. SHKB pritet të kërkojë bazën dokumentare nëse ekziston për aksionin e 13 shtatorit që vërtetojnë rolin e policisë në këtë aksion.

Sidoqoftë, në këtë ngjarje një person kyç që mund të japë një version të fortë është nipi i Ilir Xhakes i cili prej ditësh rezulton në kërkim dhe që për policinë di mjaft rrethana të momentit të krimit.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)