Profesorë nga Universiteti Italian i Maceratës dhe Universiteti i Tiranës prezantuan në Gjirokastër rezultatet e ekspeditës arkeologjike në qytetin antik të Antigonesë. Ata sugjerojnë se qyteti mund të jetë më i hershëm se shekulli i III para Krishtit, por pa dhënë datime të sakta, pasi objektet e zbuluara kërkojnë analizë të plotë.

 ***

Gjirokastër - Qyteti Antik i Antigonesë, që mendohet se është themeluar nga Piro i Epirit në shekullin e III Para Lindjes së Krishtit mund të jetë dhe më i hershëm.

Arkeologë e studiues, shqiptarë dhe italianë, në përfundim të ekspeditës disamujore thanë se gjetjet janë impresionuese dhe mund të çojnë në rishkrimin e historisë.

Profesori i Universitetit të Maceratës, Roberto Perna tha se është zbuluar një banesë me arkitekturën e saj origjinale si dhe disa objekte prej qeramike e monedha që ofrojnë një panoramë më të plotë të qytetit antik.

 “Ne kemi punuar në Adrianopol dhe shumë site të tjera. Ka qenë e rëndësishme të kuptonim çfarë kishte ndodhur në Antigone, një qendër e rëndësishme qytetërimi në luginën e Drinos që daton nga shekulli i III para Krishtit dhe deri në shekullin e I, para lindjes Krishtit”.

 Ndërsa Mereglen Meshini nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore theksoi se është ende herët për datime të sakta, por gjetjet janë premtuese sepse mund të çojnë në një kronologji të re, jo vetëm të themelimit por dhe të jetëgjatësisë së qytetit antik.

 “Janë zbuluar gjurmë që nuk njiheshin më parë. Është ende herët për datime të sakta, por të dhënat janë premtuese për të identifikuar faza më të hershme se ato që njiheshin deri tani”, thotë Mereglen Meshini, drejtori i Shërbimit Arkeologjik.

 Aktiviteti, i organizuar nga Universiteti i Maceratës dhe Instituti i Arkeologjisë i Tiranës, bashkë me DRTK Gjirokastër, synoi jo vetëm prezantimin e gjetjeve, por edhe trajnimin e studentëve si dhe promovimin e zhvillimit të turizmit kulturor.

 “Projekti ka në fokus edhe trajnimin e studentëve si nga Macerata, ashtu edhe nga Universiteti i Tiranës”, u shpreh Sabina Veseli nga Instituti i Arkeologjisë.

 Në fund, arkitekti Massimo Sargolini foli për planifikimin territorial, duke propozuar që këto gjetje të rëndësishme arkeologjike të lidhen me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.