Dy serbë kanë rënë në pranga pasi akuzohen si kultivues të lëndëve narkotike në tre laboratorë droge në veri të Kosovës. Policia bëri me dije se ka patur 3 pika në rajonin e Mitrovicës së Veriut po pa përcaktuar se ku specifikisht.
Në dy prej të cilëve u gjetën rreth 1.200 bimë narkotike, ndërsa te njëri nuk kishte bimë narkotike, por pajisje të sofistikuara për kultivimin e tyre.
Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës kishte realizuar operacione kundër drogës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Në majin e vitit të kaluar, Policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë.
Po ashtu, në prill ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.