“Arkivi i Lidhjes është zhdukur ose është fshehur, pikërisht që ndërgjegjia e saj të mos zbulohet”. Kjo deklaratë e shkrimtarit Ismail Kadare, në vitin 2005, është ndër të rrallat, ku përmendet zhdukja pa lënë gjurmë e një arkivi ku strehoheshin qindra të vërteta të ethshme shkrimtarësh e artistësh. Më vonë, deklarata të tjera zunë të shfaqen në ekrane e faqe gazetash. “Dosjet e Lidhjes janë djegur prapa malit të Dajtit”. Prosesverbalet e mbledhjeve të Lidhjes janë zhdukur me qëllim fshehjen e akuzave dhe spiunimeve...”
Në të vërtetë, ku është arkivi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve? Lidhja i mbylli dyert në pranverën e 2007, kur me një vendim të këshillit të Ministrave, godina e saj iu dha Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Që nga ajo kohë, mobiljet, biblioteka, dokumentacioni dhe gjithçka tjetër, u futën në thasë plehrash dhe u dërguan në një prej sallave të ish-Kinostudios.
Sot, kryetari i fundit i Lidhjes së Shkrimtarëve, Hysen Sinani denoncon rrezikun që i kanoset kësaj pasurie. Pra arkivi i Lidhjes ekziston. “Mund të jetë dëmtuar, gjithë këto vite, pa mirëmbajtje, por arkivi është në Kinostudio”- thotë Hysen Sinani.
Ai e ka mësuar vendndodhjen, kur iu desh të kërkonte një dosje të llogarisë dhe së bashku me dy prokurorë nxorrën lejen për të hetuar mes grumbujve të librave e dokumenteve, atje në një prej ambjenteve të godinës qëndrore të ish-Kinostudios.
Të njëtin destinacion synojmë. Dhe zbulojmë se arkivi i shumëpërfolur i Lidhjes është pikërisht atje në katin e dytë të ndërtesës së projektuar që në agimin e kinemasë tonë.
Holli i Albafilmit është i pushtuar nga objektet e godinës së vjetër. Karrige, kolltuqe, tavolina, dollapë të shkatërruar, dengje revistash...Pak më tej librat janë sistemuar në një mobilje që ngjan me gjurmët e një biblioteke të vjetër. Ndërsa punonjësit e Albafilmit, na tregojnë se pjesa më e madhe janë sistemuar në një dhomë që është e mbyllur me çelës. E hapin vetëm për pak kohë, sa për të fotografuar. Por nuk kemi mundësi, dhe as autorizim t’i shfletojmë e të kërkojmë brenda tyre. Lajmi i fundit që mësojmë për këtë pasuri, por jo i konfirmuar plotësisht, është destinacioni i tyre i mëtejshëm. Shumë shpejt, ky arkiv, dhe mijëra titujt e librave e koleksionet e gazetave, do të nisen nëpër bibliotekat e bashkive nëpër gjithë rrethet. Po dosjet arkivore, ç’destinacion do të kenë? Nëse ndodhet ende diçka mes atyre thasëve, kërkimet e mëtejshme do të na e zbulojnë.