Dy orë pas sulmit në konsullatën amerikane në Benghazi, Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit dhe FBI ishin njoftuar se cili ishte grupi pas këtij sulmi, sipas email-ve të zbuluara nga rrjeti televiziv amerikan CNN.

Një nga e-mailet e dërguara nga një adresë e Departamentit të Shtetit, adresuar disa agjencive qeveritare, në mënyrë specifike identifikon Ansar al Sharia, teksa merrte përsipër sulmin në faqen e saj të Facebook dhe Twitter.

E-mailet në fjalë ngrenë një sërë pyetjesh rreth konfuzionit nga ana e administratës së Obamës, për të saktësuar natyrën e sulmit të shtatorit dhe të atyre që e planifikuan këtë sulm. Sulmi në fjalë shkaktoi vdekjen e Ambasadorit amerikan Christopher Stevens si dhe atë të tre amerikanëve.
Ditën e këtij sulmi, Presidenti Barack Obama e quajti sulmin "akt terrori".

Por gjatë ditëve që pasuan, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, deklaroi se nuk kishte të dhëna të cilat mund të sugjeronin se sulmi ishte i planifikuar apo i pashmangshëm. Administrata sugjeroi gjithashtu se videoja anti-islam e prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte shkaktuar një demonstratë spontane në Benghazi, njësoj si në Kajro, ku dhe atje pati sulm ndaj ambasadës Amerikane.

Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland dhe Susan Rice, ambasadore në SHBA, të gjithë fajësuan videon në fjalë si faktor motivues për sulmin.

Më 13 shtator, një zyrtar i lartë amerikan u shpreh për CNN se sulmi nuk ishte "një tubim i pafajshëm."
"Videoja ose përvjetori i 11 shtatorit 2009 mund të jetë një arsye e mirë për sulmin në ambasadë, por ky ishte një sulm i qartë i planifikuar " u shpreh një zyrtar. Por vetëm më datë 19 shtator administrata nisi ta quante sulmin si punë e terroristëve. E-mailet tregojnë diçka më shumë lidhur me këtë sulm.
I pari i dërguar në 4:05 pm, ose 10:05 në Libi, përshkruan faktin se një mision diplomatik është në shënjestër.

"Të paktën 20 persona të armatosur hapën zjarr, janë dëgjuar edhe shpërthime," thuhet në e-mail. Stevens dhe 4 pjesëtarë të tjerë të stafit janë në vend të sigurt, shkruhej më tej. Më pak se një orë më vonë, në 4:54pm, një tjetër e-mail raporton "hapja e zjarrit kundrejt Misionit Diplomatik Amerikan në Benghazi ka përfunduar është ndalur dhe ndërtesa është pastruar." Thuhet gjithashtu se kishin nisur kërkimet për personelin e konsullatës. E-maili i fundit, dërguar në 6:07 pm, raporton emrin e personave përgjegjës për sulmin. Në rreshtat e subjektit lexohet "Ansar al-Sharia ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit në Benghazi."

"Ambasada në Tripoli raporton se grupi ka marrë përsipër përgjegjësinë e këtij sulmi në Facebook dhe Twitter dhe ka bërë thirrje për një sulm në ambasadën e Tripolit."

Deklarata në Facebook, u mohuar disa ditë më vonë nga grupi në fjalë gjatë një konference për shtyp, ndonëse nuk ishte shumë bindëse.

"Përshëndesim të gjithë njerëzit tanë për këtë zell të shfaqur në mbrojtje të fesë së tyre dhe në fitore të profetit," deklaroi një zëdhënës i Ansar al-Sharia, duke shtuar se "Përgjigja duhet të jetë e patundur."

(ed.ka/Shqiptarja.com)