Misioni i Avionit
Avioni "Iljushin 76" kishte për detyrë vetëm kryerjen transportin e një sasie të madhe fishekësh nga Shqipëria drejt Nigerisë. Porosia e kësaj ngarkese është kryer në mënyrë ligjore pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Një kompani shqiptare e quajtur "Unimesko shpk", në pronësi të shtetasit Andrzej Izdebzki dhe me administrator shtetasin Lorenc Goça ka informuar rreth muajit prill Ministrinë e Mbrojtjes se ishte e interesuar në blerjen e një
sasie të konsiderueshme fishekësh për ti çuar në Nigeri. Kompania "Unimesko" është një kompani e licencuar në vendin tonë për eksportin e armëve, ndërsa në rastin konkret kjo kompani po bënte ndërmjetësen dhe përfaqësuesen me prokurë mes një kompanie izraelite të quajtur "DIGNIA Systems ltd" dhe Ministrisë së Mbrojtjes për blerjen e fishekëve. Nga ana e saj kompania izraelite kishte një kontratë me shtetin e Nigerisë për furnizimin me fishekë. Sikundër ka zbuluar Shqiptarja.com, kompania "Unimesko", që ndërmjetësoi me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë ka disa lidhje përtej marrëdhënieve zyrtare me ministrinë. Pronari i "Unimesko"-s Andrzej Izdebzki dhe administratori i Lorenc Goça janë ortak në një tjetër kompani me bashkëshorten e Ylli Zylës, kreut të SHIU-t, Shërbimit Informativ Ushtarak. Ky institucion është i ngarkuar me ligj për mbikqyrjen dhe kontrollin e tregtisë dhe eksportit të armatimeve nga Shqipëria, ndërsa ortakëria e Zylës me tregtarët e armëve duket se kanë krijuar një rrethanë të pastër të konfliktit të interesit.
Lidhjet e biznesit
Bashkëshortja e kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak Shqiptar Ylli Zyla, është bashkëaksionere me disa tregtarë të licensuar për eksport armatimi në Shqipëri. Liljana Zyla që prej vitit 2011 është bashkëaksionare në kompaninë "Uind Sun Uater Initiative" sëbashku me shtetasit Lorenc Goça dhe Andrzej Izdebeski. Dy ortakët e saj përveç kompanisë energjitike që kanë krijuar me Zylën, në të njëjtën ditë dhe datë kanë krijuar në Tiranë dhe dy kompani të tjera të cilat kanë patur si objekt tregtinë e armatimit dhe që më pas janë licensuar nga Ministria e Mbrojtjes. Në dukje bashkëshortja e Zylës është aksionare në një kompani energjitike por nëse i referohesh funksionit zyrtar të Ylli Zylës atëherë qartësohet dhe problematika e kësaj lidhjeje. Në të njëjtën ditë që kanë çelur kompaninë energjitike në bashkëpronësi me bashkëshorten e kreut të SHIU-t dy sipërrmarësit Goça dhe Izdebeski kanë themeluar shoqëritë "Unimesko" dhe NITRO-CHEM. Këto shoqëri janë regjistruar me adresën: "Bulevardi Zhan D'Ark, Kompleksi ATRIKS", Kati i IV", e cila është kzaktësisht e njëjta adresë zyrtare dhe e kompanisë tjetër "Uind Sun Uater Initiative" në të cilën është aksionere Liljana Zyla, çka tregon se kompanitë operonin edhe në të njëjtën zyrë. Të treja kompanitë kanë patur edhe të njëjtin numër kontakti telefonik dhe ky numër ekspozohet qartë në të dhënat publike të QKR-së. Shtetasi Lorenc Goça kompaninë NITROCHEM e ka themeluar sëbashku me një tjetër shtetas polak i cili quhet Tomas Ptazinski dhe që kontrollon të gjithë paketën e aksioneve të kësaj kompanie ndërsa Goça rezulton administrator i saj.
(Shqiptarja.com)