Qëkur është në opozitë, Partia Demokratike ka treguar që betejat e saj kundër qeverisë nuk lindin nga principe morale, po nga zilia. Në pjesën më të madhe të rasteve akuzat lindin në fakt nga eksperienca e tyre, pra qortojnë Ramën për gjëra që kanë bërë ata vetë kur ishin në pushtet. Mjafton të përmendim fenomenin e kanabizimit (nisur nga Berisha në Lazarat), vjedhjes së votave (mjeshtëri i të cilave Berisha ishte që në 1996), kontrolli i Medias (që Berisha e nisi në 1992 me shkopinj gome e arrestime) për të mos folur për korrupsionin, institucional dhe familjar (falë të cilit çifti Berisha -Basha është pasuruar deri në 2013). Lista mund të vazhdonte në pafundësi deri të akuza më e përsëritur: marrëdhënia e qeverisë socialiste me të ashtuquajturit “oligarkë”.

Këtu nuk mjafton të kujtojmë që praktikisht të gjithë “oligarkët” aktualë lindën dhe u pasuruan falë favoreve të marra nga qeveria e drejtuar nga Sali Berisha dhe që në fund të fundit faji që PD i ngjit Edi Ramës është se nuk i lufton ashtu siç Berisha do të kishte bërë me siguri në vendin e tij. Po kulmi është se në të vërtetë kupola e PD-së vazhdon të bëjë afera edhe sot me oligarkët, si për të dëshmuar se edhe kjo “betejë” është vetëm një "film" fallco, hipokrit dhe populist.

E nisim me Lulzim Bashën që banon në qendrën rezidenciale “Long Hill” të Agron Papulit dhe bën pushimet në rezortin “Vala Mar” e Samir Manes. Kunati i famshëm Erion Isufi, që e shoqëron përherë në aferat e tij, bën pushimet me të në resortin e Samir Manes dhe në të njëjtën kohë ka zyrat e tij gjigande në mjediset e ish Sheratonit në pronësi të Shefqet Kastratit.

Sali Berisha ashtu si edhe e bija banon në të njëjtin pallat të oligarkut (dhe botuesit) Bashkim Ulaj dhe po në kullën luksoze “Aba Center” të Bashkim Ulajt,  Sali Berisha ka dhe zyrat e tij. Pushimet i bën në një supervilë në qendrën rezidenciale në Gjirin e Lalzit të ndërtuar nga Dod Doçi, përfitues i madh leje ndërtimi pikërisht nga dora e Sali Berishës. Tani zbulohet se i biri, Shkëlzeni, pasi përfituan miliona bashkë me të motrën nga dhjetëra oligarkë në kohën kur babai ishte në pushtet, ka rinisur aferat me ta edhe tani që babai është në opozitë. Biznesi i tij më i fundit është blerja e një toke dhe magazine afër Gërdecit me një vlerë 1.8 milionë euro që ja ka dhënë me qera oligarkut (dhe tani edhe botues) Klodjan Allajbeu. Ky fakt zbulohet pak ditë pasi mediat treguan se po Shkëlzeni dhe e fejuara e tij pushuan në resortin superluksoz “Kep Merli” në Ksamil në pronësi të ndërtuesit dhe botuesit tjetër Artan Dulaku, i cili sic shkruan media, (pa asnjë përgënjeshtrim) i ka ofruar edhe jahtin personal për xhiro në Korfuz.

Nga shëndetësia te ndërtimi, nga media te karburantet, nuk ka mbetur sot asnjë “oligark” i sulmuar nga PD që të mos ketë, apo të jetë detyruar të ketë marrëdhënie financiare me çiftin Basha-Berisha. Nëse kjo gjë ndodh tani që ata janë në opozitë, çfarë mund të ndodhë nëse do të fitonin zgjedhjet e do të merrnin përseri pushtetin?