Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë së prostitucionit në qytetin bregdetar. Në pranga kanë rënë 2 braziliane, 26 dhe 39-vjeçe.
Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet një 22-vjeçar dhe një 30-vjeçar- pronari i 2 apartamenteve në rrugën “Dalip Peza”, lagjja nr. 17, ku ushtrohej kjo veprimtari.
Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, 8 aparate celularë, një DVR, karta telefonike, 2 blloqe shënimesh, si dhe 2 sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, pas një hetimi 2-javor me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizoi fazën e 15-të të operacionit policor të koduar “Storm”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetaset N. P., 26 vjeçe, dhe M. B., 39 vjeçe, lindur dhe banuese në Brazil, të dyshuara për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Në vijim të veprimeve procedurale u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, një shtetas 22 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, pronari i ambienteve, shtetasi F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, 8 aparate celularë, një DVR, karta telefonike, 2 blloqe shënimesh, si dhe 2 sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset e arrestuara kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, lagjja nr. 17, Durrës, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, njëra prej shtetaseve të huaja refuzoi të hapte derën e ambientit ku ndodhej, e cila u hap më pas me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Komente










