Zbulohet “tradhtari” brenda
PS që punoi për PD/EMRI

Zbulohet “tradhtari” brenda<br />PS që punoi për PD/EMRI<br>
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste u raportuan zhvillimet në 100 ditët e para të qeverisjes “Rama2”. Përpos arritjeve në nivel të qeverisjes qendrore, dhe sfidave për 200 ditët e ardhshme, fokusi u vu edhe tek zhvillimet brenda Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij para anëtarëve të Asamblesë, deputeti socialist Taulant Balla tha se duhet të bëhet akoma më shumë në nivel organizativ brenda kësaj force politike. Duke e përshkruar si situatë gri gjendjen brenda partisë, Balla tha se brenda 200 ditëve duhet të ndryshohet situata brenda PS.

“Nuk jemi aty ku duhet; madje jemi larg pozicionit ku duhet të gjendemi në çdo qark, pa përjashtim. Natyrisht kohën e kemi përpara, por nëse dielli duket që në mëngjes, atëherë miq, 100 ditët e para kanë kaluar dhe edhe 200 të tjera i mbeten mëngjesit të këtij mandati për të shpërbërë situatën gri në pasqyrimin e gjendjes aktuale të partisë”, tha Balla.

Deputeti socialist u ka tërhequr vërejtje delegatëve që nuk janë angazhuar për realizimin e funksioneve dhe detyrave të tyre. Ai tha se në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet një raport mbi punën e bërë nga anëtarët e Asamblesë, duke përmendur edhe penalitete për ata që nuk kanë realizuar detyrat.

Balla tha se një anëtar do të përjashtohet nga Asambleja, pasi në zgjedhjet e fundit vendore ka punuar për kandidatin e një force tjetër politike. Burime për “BalkanWeb” thonë se bëhet fjalë për Shpend Barametën për kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Kavajës, Isa Sakja, i cili rezultoi fitues.

“Do të doja të falënderoja ata anëtarë të Asamblesë Kombëtare të angazhuar në këtë proces shumë të rëndësishëm analize të procesit zgjedhor që kaluam, por edhe një ushtrimi të domosdoshëm ripërtëritje dhe afrimi njerëzish dhe kontributesh të reja.

Por si Kryetar i kësaj asambleje dhe si Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie, nuk mund të mjaftohem me arritjet pozitive në shifra, ndërkohë që e di unë dhe e dini ju se sa shumë boshllëqe apo gropa, siç i quajmë ne, ka nën pasqyrën e shifrave.

Për shembull, kemi anëtarë të kësaj asambleje që nuk kanë pasur fare prani në organizatat ku kanë qenë të deleguar dhe nuk kanë ushtruar detyrën e tyre si pjesë e këtij forumi të lartë. Pse?!

Mund të ketë secili psenë e tij, por pseja ime është shumë e thjeshtë: Sepse ne e kemi toleruar këtë neglizhencë në të shkuarën dhe kjo tolerancë është kthyer në dobësi organizative deri në këtë nivel.

Detyra e secilit prej nesh, si të deleguar të Kryesisë në një qark apo si i deleguar i Asamblesë Kombëtare në një bashki apo grup organizatash, duhet të synojë krijimin e një marrëdhënieje dhe komunikim mes anëtarësisë dhe përfaqësisë më të lartë të partisë, që është Asambleja Kombëtare.

Vetëm kjo marrëdhënie mund të na japë mundësinë që nga njëra anë të ndjekim nga afër procesin e zgjedhjes dhe të ripërtëritjes në të gjitha organizatat socialiste në të gjithë Shqipërinë, por dhe nga ana tjetër të marrim një pamje të qartë të ecurisë, të metave dhe dobësive.

Dhe sigurisht përgjegjësia individuale bie mbi çdokënd që nuk e ka bërë detyrën, por ajo politikë bie në radhë të parë mbi drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët e kanë toleruar në përditshmërinë e punës së tyre këtë dobësi të rëndë dhe nuk i kanë qëndruar mbi kokë procesit me rigorozitetin e nevojshëm”,
u shpreh deputeti Balla. Ballkan Web

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit