Zbulohet misteri i sfondit të Mona Lizës, historiani italian identifikon vendin e urës në pikturën e famshme

Zbulohet misteri i sfondit të Mona Lizës, historiani italian identifikon vendin e urës në pikturën e famshme

Mona Lisa nga Leonardo da Vinci

Një historian italian ka pohuar se ka identifikuar urën e përshkruar në sfondin e pikturës enigmatike të Leonardo da Vinçit, Mona Lisa.

Kanë kaluar më shumë se 500 vjet që kur një numër i madh njerëzish filluan të shijonin kryeveprën e Leonardo da Vinçit, Mona Lisën e famshme dhe pikërisht pas kaq shumë kohësh zbulohet një detaj interesant i fshehur deri më sot në sfondin e pikturës magjepsëse.

Një qytet i vogël në Toskanë gumëzhin nga emocionet pasi pretendohet se ura e paraqitur në një nga pikturat më të famshme në botë, Mona Lisa, i përket qytetit të tyre.

Ura Romito di Laterina në provincën e Arezzo besohet të jetë ura e pikturuar nga Leonardo da Vinci në sfondin e kryeveprës së tij të vitit 1503.Ky zbulim, i bërë nga historiani italian Silvano Vinceti, i ka dhënë fund një misteri që ka nxitur mosmarrëveshje të panumërta ndër vite.

Dokumentet historike dhe imazhet e dronit u përdorën nga Vinceti për të bërë krahasime midis pikturës dhe fotografive të zonës për të identifikuar Romito si urën në pikturë.

Historiani italian Silvano Vinceti tha se nuk kishte asnjë dyshim se ura Romito di Laterina në provincën e Arezzos ishte ajo që Leonardo kishte pikturuar në peizazhin e fshatit pas Mona Lizës enigmatike, e cila do t’i jepte fund një misteri që ka nxitur mosmarrëveshje të panumërta ndër vite.

Leonardo pikturoi Mona Lizën në Firence në fillim të shekullit të 16-të dhe identiteti i gruas së paraqitur në pikturën e vajit që besohet gjerësisht të jetë Lisa del Giocondo ka shkaktuar po aq spekulime sa edhe sfondi i largët.

Teoritë në të kaluarën e kanë identifikuar urën si Ponte Buriano, afër Laterinës, si dhe Ponte Bobbio në qytetin verior italian të Piacenzas.

Duke përdorur dokumente historike dhe imazhe me dron, dhe duke bërë krahasime midis pikturës dhe fotografive të zonës, Vinceti tha se ishte “ura etrusko-romake, Romito”.

Detaji më domethënës, u tha ai gazetarëve në shoqatën e shtypit të huaj në Romë, ishte numri i harqeve: ura në pikturën e Leonardos kishte katër harqe, ashtu si edhe Romito. Ponte Buriano, nga ana tjetër, ka gjashtë harqe, ndërsa Ponte Bobbio ka më shumë se gjashtë.

Mbetet vetëm një hark i Romitos, i cili shtrihej përgjatë lumit Arno, si dhe themelet e urës në anën e kundërt të bregut të lumit.

Dokumentet që i përkisnin familjes Medici që u gjetën në arkivat shtetërore të Firences treguan se midis viteve 1501 dhe 1503 ura ishte “një urë shumë e ngarkuar dhe funksionale”, tha Vinceti. Ai shtoi se ishte pikërisht në atë kohë që Leonardo ishte në zonën e Val d’Arno, fillimisht në shërbim të Cesare Borgia, një kardinal nga familja më famëkeqe fisnike në Italinë e Rilindjes, dhe më pas për Piero Soderinin, një burrë shteti i Republikë së Firences.

Ura siguroi një rrugë të shkurtër që reduktoi udhëtimin midis Arezzo, Fiesole dhe Firence me disa orë.

Vinceti mati gjerësinë midis brigjeve të lumit dhe duke përdorur madhësinë e harkut të mbetur, konstatoi se katër harqe me të njëjtën madhësi përshtateshin në mënyrë të përkryer përgjatë shtrirjes.

“Forma dalluese e Arnos përgjatë asaj shtrirjeje territori korrespondon me atë që Leonardo portretizoi në peizazhin në të majtë të gruas fisnike të përshkruar në pikturën e famshme”, tha ai.

Vinceti gjeti gjithashtu dokumente që dëshmojnë se Leonardo banonte shpesh në Fiesole në atë kohë, me një dajë që ishte prift.

Simona Neri, kryebashkiakja e Laterinës, tha se teoria e Vincetit kishte shkaktuar shumë emocione në qytetin me pak më shumë se 3,500 banorë. “Ne duhet të përpiqemi të mbrojmë atë që ka mbetur nga ura, e cila do të kërkojë fonde”, tha ajo.

Ajo tha se një shteg biçikletash po zhvillohej përgjatë një pjese të Arnos që kalon nga ajo që ka mbetur nga Ponte Romito dhe se shpresonte se lidhja e pretenduar me Mona Lizën do të sillte më shumë turistë në zonë.

Vinceti ka bërë disa pretendime të tjera për Mona Lizën në të kaluarën, duke përfshirë se Leonardo përdori një model mashkull dhe femër në portretin, i cili varet pas një xhami antiplumb në Luvrin në Paris.

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Fier/ 18- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku

Fier/ 18- vjeçarja vetplagoset me armë zjarri, ende nuk dihet shkaku