Një gazetar peruan ka ndërruar jetë të premten në një spital në Lima, pasi u sulmua nga persona të armatosur, njoftoi Shoqata Kombëtare e Gazetarëve të Perusë (ANP). Me këtë rast, numri i gazetarëve të vrarë në vend gjatë këtij viti ka shkuar në katër.
Viktima, Michar Castillejos, 34 vjeç, u plagos rëndë më 12 dhjetor, teksa po dilte nga banesa e tij për t’u nisur drejt stacionit radiofonik Latin Plus, ku punonte, në rajonin Ucayali. Ai ishte i njohur për investigimet e tij, përfshirë zbulimin e një skandali korrupsioni që përfshinte autoritete lokale.
Shoqata Kombëtare e Gazetarëve kërkoi “ndëshkim shembullor për autorët e kësaj vrasjeje”, duke theksuar se “ky vit ka qenë katastrofik për lirinë e shtypit në Peru”.
Më herët gjatë këtij muaji, gazetari Fernando Núñez, bashkëpunëtor i faqes së lajmeve Kamila TV, u qëllua për vdekje ndërsa po kthehej nga një raportim në rajonin La Libertad, në veri të vendit. Ai iu bashkua listës së viktimave që përfshin edhe gazetarët Gastón Medina dhe Raúl Celis, të vrarë nga persona të armatosur në rrethana të ngjashme.
Vrasjet ndodhin në një kohë kur aktiviteti i bandave kriminale është në rritje në Peru. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në tetor të këtij viti janë regjistruar 1.888 vrasje, një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Komente







Bandat jane vetem ekzekutoret por porositesit jane autoritetet sepse ju paska prishur pune duke nxjere rastet e korrupsionit hapur , eshte e njejta menyre mafioze qe perdoret dhe ne vendin tone ku rama dhe berisha i mbyllin gojen medias duke e kercenuar dhe eleminuar
Përgjigju