Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby: SHBA do ta mbrojë Izraelin në rast të një sulmi nga Irani

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby: SHBA do ta mbrojë Izraelin në rast të një sulmi nga Irani

John Kirby

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbrojtur Izraelin në rast të një sulmi nga Irani ndërsa ka shpresa për arritjen e një marrëveshje të mundshme armëpushimi në Gazë, tha të martën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby.

Zoti Kirby tha për rrjetin televiziv izraelit “Channel 12”se ishte e vështirë që të parashikoheshin shanset e një sulmi, por Shtëpia e Bardhë i merr seriozisht deklaratat iraniane.

“Ne besojmë se ata janë ende të vendosur dhe të gatshëm për të ndërmarrë një sulm, nëse duan ta bëjnë këtë. Kjo është arsyeja se pse kemi një prani të fortë ushtarake në rajon”, tha ai.

“Mesazhet tona për Iranin nuk kanë ndryshuar dhe do të vazhdojnë të jenë të njëjta. Nuk ka asnjë arsye për të përshkallëzuar situatën. Nuk ka asnjë arsye për të filluar një lloj lufte që mund bëhet rajonale. Sidoqoftë, ne jemi të përgatitur për ta mbrojtur Izraelin nëse është e nevojshme”.

Irani është zotuar për një përgjigje të ashpër lidhur me vrasjen e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh. Teherani e ka fajësuar Izraelin për vrasjen e udhëheqësit të Hamasit në kryeqytetin iranian muajin e kaluar. Izraeli nuk e ka mohuar apo pohuar përfshirjen e tij.

Dy aeroplanmbajtëse amerikane dhe një skuadër avionësh luftarakë të tipit F-22 ndodhen në gatishmëri në Lindjen e Mesme.

Zoti Kirby tha se forcat amerikane do të qëndrojnë atje “për sa kohë që të jetë e nevojshme për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit si dhe trupave dhe interesave amerikane në rajon”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby, tha se mbetej optimist lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë dhe lirimin e 108 pengjeve izraelite. Ai tha se procesi ishte konstruktiv ndërsa priten bisedime të mëtejshme në Doha gjatë ditëve në vazhdim.

Zoti Kirby nuk pranoi të fajësonte asnjërën palë për ngërçin, duke thënë se arritja e një marrëveshjeje do të kërkojë kompromis dhe udhëheqje nga Izraeli dhe Hamasi.

“Palët janë ende të angazhuara dhe kjo është një gjë e mirë. Fakti që kemi kaluar në një nivel tjetër, me grupet e punës tani në Doha, kjo nuk është një gjë e keqe. Çka do të thotë që palët ende po flasin. Kjo do të thotë se ende ka shpresë se mund të zgjidhen detajet e fundit dhe të shkohet përpara. Hamasi është ende duke u përfaqësuar në bisedimet e grupeve të punës dhe kjo është një gjë e mirë. Askush nuk është shkëputur plotësisht nga procesi”, tha zoti Kirby.

Militantët e udhëhequr nga Hamasi rrëmbyen rreth 250 persona në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë.

Nga kundërpërgjigja ushtarake e Izraelit që pasoi, janë vrarë mbi 40,000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, të kontrolluar nga Hamasi, të cilët nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve. Luftimet kanë zhvendosur nga shtëpitë e tyre 90% të 2.3 milionë banorëve të Gazës dhe kanë sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e rrethuar.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari janë përpjekur prej muajsh për të negociuar një marrëveshje sipas të cilës pengjet e mbetura do të liroheshin në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare