Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky "mori zyrtarisht një draft" të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe ka pranuar ta diskutojë atë. Plani me 28 pika, i paraprirë të mërkurën, rikthen propozime që Ukraina i kishte kthyer tashmë mbrapsht në përpjekjet e mëparshme: dorëzim territoresh, ulje të numrit të ushtarëve, asnjë trupë e huaj dhe as armë me rreze të gjatë. Por me avancimin e rusëve në Donbas dhe skandalin e korrupsionit për të cilin mendohet se ka dalë në pah vetëm maja e ajsbergut dhe që kërcënon t’i shkatërrojë ekipin, Zelensky reagon duke e gëlltitur pilulën e hidhur: pa kompromis, Shtetet e Bashkuara dhe Trump janë një aleat aq i pavullnetshëm sa edhe i domosdoshëm.

"Ekipet tona do të punojnë për këtë — thotë pas takimit në Kiev me të dërguarit e Pentagonit, mes tyre sekretarin e Ushtrisë së SHBA-së, Daniel Driscoll — jemi gati për një punë konstruktive, të ndershme dhe të shpejtë". Gjithçka shtyhet, megjithatë. Ai fiton kohë, duhet kuptuar hapësira e manovrës dhe "në ditët në vijim" dëshiron "ta diskutojë" drejtpërdrejt me Trump. Për të vlerësuar, thotë, "mundësitë diplomatike të disponueshme dhe pikat kryesore të nevojshme". Për të parë, pra, nëse kështjella e letrave të pafavorshme do të shembet mbi veten. Nëse edhe këtë herë “plani i kapitullimit” i paraqitur nga Trump si e vetmja rrugëdalje do të përfundojë në tym.

Ajo që me të vërtetë mendojnë zyrat e presidencës është shumë e ndryshme nga ajo që Zelensky thotë zyrtarisht. Për gjatë gjithë ditës reagime me gjysmë zëri e përkufizojnë draftin si "absurd" dhe "të papranueshëm". Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Oleksandr Merezhko, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sergiy Kyslytsya, e cilësuan atë si një "provokim rus".

Por presioni për të ecur përpara janë të mëdha. "Arritja e një paqeje të qëndrueshme do të kërkojë që të dyja palët të pranojnë koncesione të vështira por të nevojshme", thotë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke lënë megjithatë një derë të vogël të hapur për Kievin për "të zhvilluar një listë të ideve të mundshme të bazuara në kontributin e të dyja palëve në konflikt". Shtëpia e Bardhë këmbëngul: "Plani" i Trump "është në evolucion të vazhdueshëm, por presidenti e mbështet. Është një plan i mirë si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën, dhe besojmë se duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët".

Zelensky konsultohet me aleatët dhe për momentin zgjedh linjën e butë. Nuk e përkrah, por sqaron dhe përgatit terrenin për të provuar edhe një herë të zbusë gjembat një nga një. Trump dhe ekipi i tij i kanë vënë para plane kapitullimi edhe më parë dhe ai i ka çmontuar me radhë: "Do të punojmë mbi pikat për të garantuar një përfundim dinjitoz të luftës", thotë zyra e tij në një ditë jashtëzakonisht të vështirë për përballjen e parë të brendshme lidhur me skandalin e korrupsionit: Shërbëtorët e Popullit kërkonin dorëheqjen e shefit të Zyrës presidenciale, Yermak, por nuk e arritën. Kreu i fraksionit, në mbrëmje, ishte destabilizuar nga vendimi i presidentit për të bërë rreth me njeriun e tij të besuar. Mazhoranca ka vetëm 299 vota kundrejt 296 të nevojshme, një diferencë që ekspozon ndaj nervozizmave dhe tërmeteve. Në krye të fraksionit anti-Yermak ishte kreu i partisë në Parlament, David Arakhamia: edhe shkarkimi i tij ishte përmendur. Tension i lartë, por për momentin të dy mbeten në vendet e tyre: "Duhet të qëndrojmë të bashkuar. Kushdo që është kundër nesh është për Rusinë", ka thënë Zelensky sipas një deputeti./La Repubblica

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:51
Liderët evropianë po punojnë për një kundërpropozim ndaj planit të Trump

1763729700_bezelensky.JPG

Liderët evropianë po punojnë për një “kundërpropozim” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke ndërtuar një plan paqeje të bazuar në “kushte alternative” krahasuar me atë të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, dhe do të përpiqen të “bindin” Kievin ta mbështesë atë. Kështu shkruan gazeta amerikane Wall Street Journal, duke shpjeguar se plani evropian pritet të jetë “më i favorshëm” për Ukrainën. BE-ja “shpreson ta ketë gati propozimin brenda pak ditësh”, raportoi WSJ, por Ukraina deri tani nuk ka bërë të ditur nëse do t’i bashkohet. Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur se nuk janë përfshirë në hartimin e planit amerikan dhe se nuk janë informuar për përmbajtjen e tij deri të enjten në mbrëmje.

Ora 11:22
Plani me 28 pika, FT: Washingtoni pret përgjigje nga Zelensky brenda 6 ditësh

1763720723_zelenskymendueshem.JPG

Administrata Trump po ushtron presion mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy që të pranojë planin 28-pikësh të paqes brenda Ditës së Falënderimeve, më 27 nëntor. Kështu shkruan Financial Times, duke cituar zyrtarë nga Kievi, sipas të cilëve negociatorët amerikanë po insistojnë që dokumenti të nënshkruhet në versionin aktual.

Shtetet e Bashkuara synojnë t’ia paraqesin marrëveshjen Moskës brenda fundit të nëntorit dhe të përmbyllin procesin në fillim të dhjetorit, kanë shtuar ata.