NATO ka ftuar Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në samitin e ardhshëm të liderëve të aleancës që do të mbahet në Ankara, më 7–8 korrik. Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili konfirmoi se ftesa i është dërguar tashmë presidentit ukrainas.
“E kam ftuar tashmë, po, ai do të jetë aty,” deklaroi Rutte, gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në qytetin Helsingborg.
Ftesa vjen pavarësisht qëndrimeve të mëparshme të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kundërshtuar përfshirjen në samite të partnerëve jashtë NATO-s, përfshirë Ukrainën, Australinë, Zelandën e Re, Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Samiti i Ankarasë pritet të përfshijë një takim zyrtar të liderëve të aleancës, si dhe një forum paralel për industrinë, ku do të marrin pjesë edhe vende jo-anëtare të NATO-s.
Megjithatë, pjesëmarrja e Zelenskyy-t ende nuk është e sigurt. Një zyrtar europian i cituar nga POLITICO tha se ai nuk e ka pranuar ende ftesën.
“Gjithçka është ende duke u vendosur. Të gjithë janë në pritje,” u shpreh ai.
Ndërkohë, NATO po shqyrton edhe ftesën e disa vendeve të Lindjes së Mesme, si Bahreini, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me kërkesë të Turqisë si vend pritës i samitit
Komente










