Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi një riorganizim të madh të qeverisë të dielën, më 12 korrik, duke propozuar zëvendësimin e kryeministres Yulia Svyrydenko dhe krerëve të disa agjencive të zbatimit të ligjit.
Sipas mediave të huaja, Zelensky nuk tha se kush do ta zëvendësonte Svyrydenkon dhe as nuk dha detaje mbi arsyet e ndryshimeve.
“Jam mirënjohës ndaj [Svyrydenkos] për punën e saj të qartë, të qëndrueshme dhe efektive si kryeministre, për vitet e saj të shërbimit produktiv në ekipin e Ukrainës dhe i kam ofruar asaj mundësinë për të udhëhequr një fushë të re dhe të rëndësishme marrëdhëniesh me një partner kyç”, shkroi Zelensky në rrjetin social ‘X’.
“Pres që, së bashku me deputetët, të bëjmë ndryshimet përkatëse në Qeverinë e Ukrainës. Do të ketë gjithashtu ndryshime midis krerëve të agjencive të zbatimit të ligjit”, shtoi Zelensky.
Në rrjetin social ‘X’, Zelensky renditi një numër detyrash që Ukraina duhej të ndërmerrte, duke përfshirë përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe forcimin e zonave të saj kufitare. Ai tha gjithashtu se planifikonte të caktonte njerëz të ndryshëm për të menaxhuar fusha të ndryshme të politikës së jashtme.
"Ne përcaktuam se këto ndryshime kërkojnë një rinovim të Kabinetit të Ministrave", tha Zelensky, pa dhënë hollësi.
Riorganizimi i kabinetit kërkon miratimin parlamentar - megjithëse ligjvënësit janë bashkuar kryesisht rreth Zelensky-t që nga pushtimi i Rusisë dhe zakonisht nuk e bllokojnë axhendën e tij. Zelensky e emëroi Svyrydenkon në rolin e kryeministres vitin e kaluar.
Komente









