Kyrylo Budanov, shefi i stafit të Presidentit Volodymyr Zelensky, tha për mediat në Ukrainë se raundi i ardhshëm i bisedimeve me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara mund të zhvillohet deri në fund të kësaj jave.

"Mendoj se në fund të javës, këtë javë", tha ai për Novyny.

Ndërkohë Volodymyr Zelensky thotë se presidenti rus, Vladimir Putin e ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore dhe vetëm presioni intensiv ushtarak dhe ekonomik mund ta detyrojë të tërhiqet.

"Unë besoj se Putini e ka filluar tashmë. Pyetja është se sa territor do të jetë në gjendje të pushtojë dhe si ta ndalojë atë... Rusia dëshiron t'i imponojë botës një mënyrë jetese të ndryshme dhe të ndryshojë jetën që njerëzit kanë zgjedhur për veten e tyre", tha Zelensky për BBC.

Lidhur me kërkesën e Rusisë që Ukraina të dorëzojë 20% të rajonit lindor të Donetskut, Zelensky deklaroi se e sheh këtë si kërkesë për dobësimin e pozicioneve ukrainase dhe braktisje të qindra mijëra njerëzve që jetojnë atje.

Sipas tij, një tërheqje nga Donbasi do ta ndante shoqërinë ukrainase.

Ndërkaq, i dërguari special i SHBA, Steve Witkoff ka thënë se një takim mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyy mund të ndodhë brenda tre javësh. 

Më 18 shkurt, përfundoi raundi i tretë i bisedimeve në Gjenevë midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Moska dhe Kievi mbeten larg njëri-tjetrit për çështjet kryesore të territorit dhe kushtet e një armëpushimi të mundshëm në konfliktin katërvjeçar.

Rusia ka kërkuar kontroll të plotë të Donbasit lindor të Ukrainës, i përbërë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kievi e ka refuzuar prej kohësh këtë kërkesë, pasi për ta kjo do të ishte të heqësh dorë nga territori sovran ukrainas.

Një tjetër pikë ngërçi në bisedime është statusi i centralit bërthamor të Zaporizhzhisë. Termocentrali, më i madhi në Evropë ndodhet në vijën e frontit dhe ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:27
Banka Botërore: Rindërtimi i Ukrainës ka nevojë për 588 miliardë dollarë

1770711521_luftaneukraine.avif

Ukrainës i duhen 588 miliardë dollarë për rindërtim katër vjet pas pushtimit rus, një shifër gati tre herë më e madhe se PBB-ja vjetore e vendit. Kjo është sipas një raporti të Bankës Botërore, që vlerëson se totali është 12% më i lartë se shuma e ndarë vitin e kaluar.

Kjo vjen në sfondin e një dimri sulmesh shkatërruese ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke lënë miliona njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike. Katër vjet luftë kanë shkatërruar ekonominë ukrainase, kanë shndërruar qytete të tëra në rrënoja dhe kanë detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre. Aleatët perëndimorë të Kievit kanë premtuar qindra miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën që kur Rusia pushtoi vendin më 24 shkurt 2022, por Kievi po përdor pjesën më të madhe të saj për përpjekjet e luftës dhe për të mbajtur ekonominë e saj mbi ujë.

"Nevojat për rimëkëmbje dhe rindërtim vazhdojnë të rriten dhe tani vlerësohen në 587.7 miliardë dollarë gjatë një horizonti kohor 10-vjeçar, ekuivalente me gati tre herë PBB-në e Ukrainës për vitin 2025", thuhet në raport, të botuar bashkërisht nga Banka Botërore, qeveria ukrainase, Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian.

Shifra u llogarit bazuar në një vlerësim të dëmeve të shkaktuara deri më 31 dhjetor 2025. Që atëherë, Rusia ka nisur sulme më të gjera në rrjetin energjetik të Ukrainës, duke përfshirë valë sulmesh me raketa dhe dronë që kanë shkatërruar plotësisht disa termocentrale. Më shumë se një në shtatë shtëpi në Ukrainë është dëmtuar ose shkatërruar si rezultat i luftës, thuhet në raport.

Kostot e rindërtimit ishin më të larta në sektorin e transportit, me rreth 96 miliardë dollarë, të ndjekura nga sektorët e energjisë dhe të strehimit, me afërsisht 90 miliardë dollarë secili. Pastrimi i mbeturinave dhe menaxhimi i rrezikut të eksplozivëve - do të kërkojë 28 miliardë dollarë. Rajonet e vijës së frontit të Donetskut dhe Kharkivit do të kërkojnë investimet më të mëdha, ndërsa kryeqyteti, Kievi, do të kërkojë mbi 15 miliardë dollarë për t'u rikuperuar, sipas raportit. Sipas të dhënave nga Instituti Kiel me seli në Gjermani, aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë ndarë mbi 400 miliardë dollarë në ndihmë financiare, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën që nga pushtimi rus.

Një kredi e planifikuar e BE-së prej 90 miliardë eurosh (106 miliardë dollarë) do të përdoret kryesisht për të mbuluar shpenzimet ushtarake të Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e destinuar për mbështetje të përgjithshme buxhetore, tha Brukseli muajin e kaluar.