ITALI- Juventus mposht minimalisht Milanin falë Paolo Dybala, i cili këtë sezon po bën heroin e bardhezinjve nga stoli. Në një lojë cinike, me një Milan që u përpoq më shumë se vendasit për të shënuar por të pafat, 25- vjeçari argjentinas vendosi gjithë ndeshjen me golin në minutën e 77'.
Ndeshja e dytë që Dybala bëhet protagonist për Juven, pas asaj kthese të çmendur në Champions League më 22 tetor përballë Lokomotivës së Moskës. Trajneri Maurizio Sarri vendosi të inkuadrojë atë pikërisht në vend të Cristiano Ronaldos i cili mes polemikash dhe nervash la fushën në minutën e 55'. Dybala me një driblim të bukur u fut në zonë dhe e çoi topin në cepin e majtë.
Fitorja minimale i shërben Juventusit të ruajë kreun dhe të mbajë distancën me një pikë ndaj Interit. Ndërkohë Milan shënon humbjen e 7-të në kampionat, dhe kuqezinjtë duhet të diskutojnë seriozisht mbijetesën pasi zona e ftohtë është vetëm 4 pikë poshtë tyre.