Kongresi i Partisë Socialiste ka miratuar propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, për mbajtjen e një referendumi për çështjen e mandatit të tij në krye të PS. Për të shuar debatin e brendshëm në PS, tha Rama, ai i drejtohet Kongresit që të miratojë propozimin e tij për referendumin. “Është anëtarësia që duhet ta ndajë këtë muhabet të stisur. Janë ata që duhet të thonë me votën e tyre nëse duhet të vazhdojmë duke konfirmuar mandatin mbi bazën e statutit të ri. Nëse ata nuk do ta konfirmojnë mandatin mbi bazën e statuti, sigurisht që bujrum, të bëjmë zgjedhje në parti, të bëjmë një muaj punë që nuk është puna jonë sot.
Kam kundra shumë nga kolegët, për arsye tërësisht të kundërta me arsyet e kolegëve që thonë se këtu po bëhet hataja, por do t’ju lutesha që të mos e kalojmë këtë moment, duke e mbyllur me një votë tiranike në këtë Kongres. T’u japim mundësi të gjithëve dhe marrim përgjigjen jo nga lart, por nga poshtë, nga të gjithë socialistët", ka thënë Rama. Ben Blushi kundërshtoi dhe njëherë tjetër propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, për referendumin. Sipas tij, kjo është një përpjekje e kreut të PS, për t’i ikur zgjedhjeve.
“Referendumi nuk bëhet për njerëz. Zgjedhjet bëhen për njerëz. Ne sapo e votuam statutin që s’ka fuqi prapavepruese. Çfarë do të thotë referendum? Që të zëvendësojë zgjedhjet? Ja ku po ia them në sy, referendumi bëhet në bazë anëtarësie dhe votojnë, pyetja është pikëpyetje e madhe, votojnë këta, çfarë ndryshimi ka që mblidhen 100 mijë vetë, votojnë një pyetje dhe nuk votojnë dy njerëz? Prandaj, e konsideroj antistatutor, të paarsyeshëm, të papranueshëm, e konsideroj një hile për t’i ikur garës brenda PS.
Ka 3 vjet që ndodh kjo. Se kush është stërshumica dhe pakica, ka vetëm një mundësi verifikimi, të bëjmë zgjedhje", u shpreh Blushi. Ndërhyrja e tij, pas miratimit të statutit të ri të PS, u prit me kundërshti nga delegatët e pranishëm në Kongres. Kundër referendumit u shprehën dhe anëtarë të tjerë të PS, përveç kritikëve. Gjatë diskutimit në Kongres, kreu i grupit të punës për hartimin e ndryshimeve statutore, Fatmir Xhafaj, tha se miratimi i statutit të ri ka mbyllur çdo diskutim tjetër. "Duhet hequr dorë nga ideja e referendumit. Statutin o e keni votuar, o s’e keni votuar.
Nga sot, përgjigjen e ka dhënë Kongresi. Nga dita e sotme, të gjitha strukturat e PS, zgjidhen me këtë statut. S’ka tjetër diskutim, këtu mbarojnë diskutimet. Kongresi duhet t’i bëjë qejfin statutit që e miratoi", u shpreh Xhafaj. Në fund, Kongresi miratoi me vetëm 6 vota kundër referendumin, ku u evidentua vota kundër e Fatmir Xhafajt, Alket Hysenit, Maqo Lakrorit, Ben Blushit dhe Petrit Agos.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)