Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takojë këtë të hënë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të siguruar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, teksa kanë mbetur 10 ditë kohë për propozimin e emrave, sipas afateve kushtetuese.

Ndërsa ditën e djeshme, Kurti takoi liderin e partisë kryesore opozitare në vend, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kurti shtoi se Hamza, partia e të cilit ka 22 ulëse, shprehu “gatishmërinë” e tij për bashkërendim parlamentar për çështje të “interesit shtetëror e kombëtar”.

Vetë Bedri Hamza ka deklaruar përmes një postimi në rrjetet sociale se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit. 

Presidentja Osmani është kritikuar nga partitë opozitare se ka qenë e afërt me partinë e Kurtit.

Ato kanë thënë se ajo “nuk përfaqëson figurë unifikuese”, por nuk kanë shpjeguar pse.

Kosova duhet të ketë president të ri deri më 4 mars, sipas ligjeve, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në fillim të prillit.

Osmani u zgjodh presidente për herë të parë më 2021 duke gëzuar mbështetjen e Vetëvendosjes së Kurtit, por deri tani, as Kurti e as zyrtarë të partisë së tij nuk kanë shprehur mbështetje publike për një mandat të dytë për të.