Socialistët praktikisht ngrenë shtabin qëndror elektoral për zgjedhjet parlamentare të verës së ardhshme. Kryesia e PS në mbledhjen e djeshme ka ngritur Grupin Organizativ të Strategjisë elektorale(GSO) për implementin e saj në të gjithë terotorin e vendii. Në përbërje të grupit janë kryetari i grupit parlamentar, njëherësh dhe kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramopz Ruçi, sekretari i organizimit në PS Blendi Klosi, sekretari për pushtetin vendor në PS, Bashkim Fino dhe sekretari i koordinimit Fatmir Xhafaj. Grupi do jetë koordinatori kryesor mes strukturave e shtabeve vendore elektorale të PS dhe strukturave dhe forumeve drejtuese qëndrore në PS, kryesisë dhe Asamblesë. Duke tentuar në këtë mënyrë realizimin e një fushate model zgjedhore për opozitën por dhe ngritjen e grupeve të punës për ruajtjen e votës. Kështu, "një qytetar-një votë" është angazhimi i PS për zgjedhjet e 2013 që do bëjë të mundur shmangien e çdo skemë manipulimi e mbrojtjen e rezultatit elektoral ashtu siç shqiptarët do shprehin vullnetin përmes votës. PS miratoi dje strategjinë elektorale për garën e 2013 në kryesi. Burime pranë kryesisë konfirmuan se diskutimi i anëtarëve është përqëndruar rreth strategjisë për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryesia miratoi në mënyrë unanime planin e detajuar jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe monitorimin e rreptë të përgatitjes së tij nga Qeveria e institucionet shtetërore si dhe procesin e numërimit të votave. Perveç leximit të drejtë të çdo vote, strategjia parashikon dhe periudhën paraelektorale për identifikimin e çdo shtetasi që mund të bëhet pjesë e skemës së manipulimit. Strukturat PS, angazhohen përmes kësaj strategjie të marrin masa për të mos lejuar asnjë skemë manipuluese më 2013. Ndërsa "kuarteti" i përbërë nga Ruçi, Klosi, Fino dhe Xhafaj do jenë drejtues të grupit që ka për detyrë implementimin e këtij plani veprimi, duke qenë në krye të asaj që PS e cilëson si "makineria organizative" e fushatës së PS, në kundërpergjigje të asaj që e quajnë makineria manipulative e qeverisë". Grupi, përtej implementimit të strategjisë për thithjen e votave por dhe mbrojtjes së tyre do merret me gjithë problematikat qe do hasin drejtuesit e PS në të gjitha njësitë vendore dhe të gjitha shqetësimet do adresohen tek ky grup. Ai më pas do t'i diskutojë në mbledhje kryesie e në mbledhjet e grupit parlamentar e të Asamblesë, ku do dalë një zgjidhje për problemet që mund të ekzistojnë në rrethe. Komunikimi i grupit do mbahet me krerët e PS në rrethe, për bashkitë, komunat e veçanërisht me krerët e bashkive e komunave, në ato zona ku janë poërfaqësuesit e PS, për shkak se drejtuesit vendorë do mbajnë peshën kryesore të fushatës. Në kryesi është diskutuar dhe për precedentin e shtimit fiktiv të banorëve në qarkun e Kukësit dhe përqëndrimi tek listat për pastrimin e tyre nga dublikimet, evidentimin e emigrantëve jashtë vendit dhe përgatitja e një liste për çdo njësi vendore që të mos ketë mundësi votimi në vend të tyre. Dje është vendosur mosndryshimi i të deleguarve të kryesisë nëpër qarqe, duke sjellë paqartësi por dhe pakënaqësi sepse ende mbetet mister vendi i kontributit të tyre në muajin e fushatës elektorale. Por dhe krijimi i GSO është cilësuar si problem më vete pasi shihet si mbivendosje apo si anashkalim i kryesisë së PS, e cila në vetvete është strukturë organizative dhe gjithnjë ka organizuar fushatën. Burimet brenda kryesisë saktësojnë se kjo linjë vertikale sjell shmangie në kryesisë, që pas kësaj nuk dihet roli i saj, duke e përqëndruar gjithçka të kjo kryesi e vogël.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
sg/shqiptarja.com