Si do ta karakterizonit vitin 2012 nga këndvështrimi ekonomik, politik dhe social?
Për vendin ishte një vit i vështirë me një rënie dramatike ekonomike, me një borxh publik të rritur përtej mundësisë që ka vendi për ta përballuar borxhin, me një sipërmarrje të tkurrur shumë ndjeshëm, me një borxh të njerëzve në vështirësi ndaj dyqaneve të ushqimeve në rendin e rreth 150 milionë eurove, me disa politika shumë të dëmshme për vendin, të cilat kanë sjellë humbje jashtëzakonisht të rëndësishme të pasurisë së përbashkët dhe me një dështim të radhës në marrjen e statusit kandidat, apo mosmarrjen e statusit të kandidatit nga Bashkimi Europian.
Në gjithë këto vështirësi që përmendët, cili ka qenë kontributi juaj, oponenca dhe rezistenca juaj që gjërat të mos shkonin aq keq sa po i përshkruani ju?
Për sa i përket bilancit tonë, besoj që kemi një bilanc pozitiv në kuptimin e paraqitjes së një alternative të besueshme përpara shqiptarëve, për një rilindje shqiptare përkundër rrënimit të mëtejshëm. Kemi bërë gjithçka kemi patur në dorë për të kaluar në parlament një numër të konsiderueshëm ligjesh me shumicë të cilësuar. Kemi parë me kënaqësi që pjesa e detyrimeve të realizuara të Shqipërisë në raport me axhendën europiane është ajo pjesë ku është i qenësishëm kontributi i opozitës.
Një vit i vështirë me borxhe të shtuara, me kreditime e investime të pakësuara. Çfarë shkoi keq?
Fatkeqësisht janë provuar një më një të gjitha parashikimet tona për këtë rënie. Duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se Shqipëria s'vuan sot krizën financiare globale, por përkimin e kësaj krize me shterrimin e një modeli ekonomik e social zhvillimi, që s'ka më se çfarë i jep vendit.
Pati disa vite që qeveria nuk e pranoi se kriza ekonomike ishte e pranishme, sipas jush, kjo i vonoi masat parandaluese?
Ka dy anë: mospranimi i krizës e përpjekja për ta mbuluar krizën me propagandë, por edhe vijimi me të njëjtat politika a thua se s'ka krizë. Kjo sjellje ka shterruar forcat dhe sot vendi është tërësisht i zbuluar, i pambrojtur dhe i rrënuar përballë dallgës së krizës. Kriza është e dyanshme: sa është efekti i krizës financiare globale, që, ndër të tjera, pasqyrohet në rënien dramatike të dërgesave të emigrantëve, aq edhe përkimi i kësaj krize me shterrimin e një modeli ekonomik që s'ka çfarë i jep më vendit.
Çfarë meritash, apo çfarë rezultatesh i njihni ju qeverisë në punën e saj?
Në rast se do bëja një sforco për të njohur diçka në përpjekjet e kësaj qeverie, besoj se çka mund të veçohet si pozitive i përket vitit të parë të mandatit të parë. Midis vitit 2005 dhe fundvitit 2006 janë marrë disa masa të rëndësishme që mund të konsiderohen si pozitive. Por me vendosjen e taksës së sheshtë besoj që ka filluar dhe një proces rrënimi, që ka rritur nga njëra anë barrën fiskale mbi njerëzit e zakonshëm dhe praktikisht ka bërë një spostim të barrës së përgjithshme fiskale në vend nga korporatat tek konsumatorët.
Ekonomia dhe shoqëria shqiptare kanë probleme të shumta. Si do ta kryeni këtë kapërcim me reforma nga e njëjta bazë problematike?
Duke ndryshuar rrënjësisht politikën në raport me pasurinë, në raport me pasurinë e përbashkët në radhë të parë. Ajo është sot praktikisht një mall pa zot, që po grabitet dhe po shkatërrohet. Ne kemi sektorë strategjikë që sot janë në lëngim agonie; sektori energjitik, sektori i naftës, sektori i pasurive minerare. Ndërsa mbi tokë kemi pastaj një problematikë të tërë që lidhet më dërrmimin e mjedisit në kushtet kur ne duam të zhvillojmë turizmin, që lidhet më dërrmimin e tokës së bukës në kushtet kur në duam të zhvillojmë bujqësinë, që lidhet me shumë hallka të tjera të një zinxhiri, që duhet këputur dhe duhet ndërtuar mbi bazën e një politike të re, e cila me patjetër duhet të bazohet në vlerat dhe parimet e një të majte progresiste të shekullit të ri. Një e majtë e tillë nuk është peng i ideologjisë së të majtës klasike, sepse kohët kanë ndryshuar, por që është pragmatiste dhe efektive në masat e saj.
Sipas jush, sa shpresëdhënëse janë këto ndryshime në krye të drejtësisë për të përmirësuar punën e sistemit të drejtësisë?
Le ta themi hapur, Shqipëria sot e ka Presidentin pjesë të ekzekutivit, një nga ministrat. Ndërkohë, që sistemi drejtësisë vetëm degradohet. Jemi përpara mbylljes së një viti ku ka nga njëra anë ka rezultuar me falje gjithë procesi i tragjedisë së Gërdecit dhe nga ana tjetër po rezulton një farsë e pashoqe procesi i tragjedisë së 21 janarit. Këto janë dy tragjedi që ky vend duhet t'i zgjidhë në mënyrë të drejtë, për të shpresuar të ketë drejtësi. Është çimentuar qartësisht ende më kultura e pandëshkueshmërisë, me faktin që Shqipëria s'është në gjendje të japë asnjë provë të besueshme në Bruksel se i ka aftësitë për ta luftuar korrupsionin, se i ka aftësitë për të prerë lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisë, lidhje të përcaktuara edhe në raportin e DASH, dhe se i ka aftësitë për të ndërtuar një kulturë ndëshkueshmërie. Kjo është edhe një nga arësyet themelore të refuzimit të aplikimit për statusin e vendit kandidat.
Shumica ju ka akuzuar se ju e keni patur në dorë të jepni kontributin tuaj në miratimin e ligjeve reformuese për Gjykatën e Lartë, Gjykatën Administrative heqja e imuniteteve të zyrtarëve etj, dhe ju i keni frenuar e ngadalësuar këto reforma...?
Ne nuk kemi bërë asnjë frenim. Unë nuk besoj për asnjë sekondë se Shqipërinë e pengon ligji i shkruar në letër. Përkundrazi, unë besoj se në letër ne kemi një vend shumë të përparuar. Sot ne kemi një vend ku një përqindje shumë e lartë qytetarësh, përqindja më e madhe që unë kam parë në të gjithë sondazhet vit pas viti, duke lënë mënjanë vitin 1997, që ishte viti i pasigurisë totale, pra një përqindje e lartë e qytetarëve beson se në këtë vend nuk ka asnjë siguri dhe se praktikisht vendin e ka marrë në dorë krimi i rrugës. Po ashtu, shohim se ka një dhunë të shpërfaqur nga të katër anët me ngjarje makabre thuajse të përditshme, që tregon se jetojmë në një vend që është në krizë të gjithanshme. Është në një proces rrënimi të vazhdueshëm. Ky rrënim duhet të mbarojë.
Është thënë shpesh nga disa analistë që, nëse partitë e vogla do bashkohen përreth PS fitorja do të ishte e parashikueshme?
Ne jemi të bindur se viti 2013 do të jetë viti i ndryshimit dhe se zgjedhjet e 23 qershorit do ta mbyllin kapitullin e rrënimit të mëtejshëm, që është i lidhur me këtë keq-qeverisje. Ne do të krijojmë kushte për të hapur një kapitull të ri. S'jemi në një normalitet demokratik, ku mund të kemi luksin që të kemi disa opozita. Jemi në një anormalitet demokratik, ku rotacioni politik është një domosdoshmërihe madje është e para domosdoshmëri. Kjo do hotë që janë kushtet për të krijuar një aleancë që shkon përtej dallimeve programore me synimin e garantimit të rotacionit. Për këtë arsye ne jemi tërësisht të hapur dhe mirëpresim çdo faktor politik, që është i gatshëm të kontribuojë për rotacionin dhe për të hapur rrugën që Shqipëria t'i rikthehet një normaliteti, ku secili të ndjehet pak më mirë dhe më i lehtësuar në vendin e vet.