TIRANË- Kandidati për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli ka prezantuar një nga pikat kryesore të platformës së tij, atë të manifestit Politik.
E gjitha kjo, sipas Kadillit do të sillte garantimin e karrierës politike, me qëllim që t’i jepet fund monopolit të kryetarit, sipas tij po ndodh aktualisht në drejtimin e Lulzim Bashës.
“Shumë prej jush më pyesin: çfarë risie sjell Manifesti Politik për anëtarin e thjeshtë të PD?
Përgjigja është vetëm një: “Garantimin e karrierës politike!”
Çdo anëtar mund të krijojë seksionin e vet, prej 5 vetësh apo më shumë, duke u bërë kryetari dhe duke marrë përgjegjësi. Le të bëhemi ne të parët, që e zhbëjmë monopolin centralist të kryetarit, të themelojmë një parti pluraliste, gjithëpërfshirëse, të fortë në territor, ku pushtetin e zotëron anëtari i thjeshtë, pa asnjë kufizim ne kontribut dhe ambicie politike.
Ky është manifesti im politik. Unë jam Bardh Kadilli. Në garë për një PD të hapur, të pastër, të bashkuar, fituese”, shkruan Kadilli.
Dhe 5 ditë kanë mbetur nga zhvillimi i zgjedhjeve brenda PD-së. Në garë janë kryetari aktual Lulzim Basha, si edhe Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.