Zgjedhjet e 14 majit, Begaj: Mbyllet fushata elektorale, tani të gjithë duhet të heshtin, qytetarët të flasin! Vota juaj thelbësore

Sot në ditën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore që do të mbahen më 14 maj, presidenti Bejram Begaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime. Në thirrjen e tij presidenti thekson se vota e qytetarëve është thelbësore e se zgjedhjet vendore u japin mundësinë për të përmirësuar hapësirat e drejtpërdrejta të jetesës.

Begaj shton se është detyrë e secilit qytetar që të votojë, sidomos e brezit të rinj për të siguruar pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri.

'Të nderuar votues!  Është mbyllur tashmë sipari i propozimeve që ju keni dëgjuar për disa javë gjatë fushatës elektorale.  Të gjithë të angazhuarit në zgjedhje kanë folur si kanë dashur,  kur kanë dashur dhe me intensitetin e  paevitueshëm të propozimeve partiake. Tani të gjithë duhet të heshtin, sepse ju do të flisni! Dhe kjo është thelbësorja, vota juaj!  Zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e drejtpërdrejtë të jetesës.   Pikërisht përfaqësuesit që do të zgjidhni nesër, do të jenë përgjegjës për cilësinë e saj.  

Ata do kenë detyrimin e mirëmenaxhimit të burimeve vendore dhe për të krijuar nëpërmjet tyre mundësi të reja zhvillimi për projektet e së ardhmes për qeverisjen vendore.  Ndaj ju lutem hidheni votën tuaj me përgjegjësi, pa e anashkaluar këtë moment shumë të rëndësishëm për qytetet e komunitetet tona. Votoni e sigurohuni që do të dëgjoheni nesër e në ditët në vijim!  Me këtë rast dua t’u rikujtoj të gjithë drejtuesve të institucioneve të ngarkuara nga ligji për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, përgjegjësinë e tyre të madhe të të qenit vendimtarë në mbrojtjen e votës dhe në konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë.  Ju kërkoj të jeni në lartësinë e kësaj sfide, të cilën ia kemi detyrim të gjithë qytetarëve shqiptarë e veçanërisht brezit të ri.  

Ia kemi detyrim shpresës së diasporës shqiptare që i mban sytë dhe zemrën nga atdheu dhe të gjithë punës së madhe që është bërë pa dallim krahu politik, për të siguruar pluralizmin dhe demokracinë në  Shqipëri. Të  nderuar votues, ju lutem flisni me votë! Duke ju uruar mbarësi në familje, komunitet dhe në kauzat tuaja, ju ftoj të ushtrojmë të gjithë të drejtën tonë për të zgjedhur alternativën që gjithsecili mendon se përmbush pritshmëritë personale.'- shkruan presidenti.

Të dielën e 14 majit, qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e bashkive.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë