Procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputetë në komunën e Drenasit, duke shtyrë Prokurorinë Themelore të Prishtinës të autorizojë Policinë e Kosovës për nisjen e hetimeve të mëtejshme.

Mediat kosovare bëjnë të ditur se Policia është ngarkuar të mbledhë informacione dhe prova për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje penale dhe kush mund të jenë personat përgjegjës për to. Dyshimet lidhen me dallime të konstatuara mes rezultateve fillestare dhe atyre pas rinumërimit.

Hetime të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe në komuna të tjera të vendit, përfshirë Ferizajn dhe Malishevën, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka urdhëruar rinumërim të plotë të votave të rregullta në disa zona për shkak të mospërputhjeve në votat e kandidatëve.

Rasti më i rëndë deri më tani është shënuar në Prizren, ku javën e shkuar u ndaluan 109 persona nën dyshimet për manipulim të rezultatit zgjedhor. Gjykata më pas caktoi masën e paraburgimit njëmujor për 23 prej tyre.

Procesi i numërimit të votave përfundoi më 9 janar, ndërsa votat u përpunuan në qendrat komunale dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Gjatë këtij procesi, çdo fletëvotim kalon në disa nivele kontrolli, por dyshimet për manipulim lidhen kryesisht me fazën e leximit të votave për kandidatë, ku mund të ndryshohet verbalisht numri i kandidatit të votuar. Kjo nuk ndikon në rezultatin e partisë, por mund të ndryshojë ndarjen e votave mes kandidatëve brenda të njëjtës listë, çka përbën vepër penale sipas ligjeve në fuqi.

"Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër. Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti" shpjegon Radio Europa e Lirë.

Më 9 janar, KQZ-ja kishte njoftua se kishte përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave. Votat e rregullta u numëruan nëpër qendrat komunale të numërimit, ndërsa votat tjera, përfshirë ato nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve me mbi 51% të votave dhe pritet të ketë 57 vende në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës. Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.