Lulzim Basha zgjodhi që votën për 6 marsin, qytetarëve të Vorës t'ua kërkonte derë më derë, dhe jo nëpërmjet një mitingu tradicional. I shoqëruar nga kandidati për Bashkinë e Vorës, Ymer Marku, kryedemokrati hodhi akuza se pushteti vendor është kthyer në ushtri të punësuarish në këmbim të votës.
'Të paktën keni njeriun tuaj që jua njeh hallet, jua qan hallet, e keni derën e hapur, e dini që është një njeri që nuk përkulet para presionit të askujt dhe të paktën ato taksat e bashkisë që ju i paguani njësoj siç paguani e qeverisë të mos shkojnë për këto 700 veta që nuk merret vesh se çfarë pune bëjnë, por të shkojnë tek hallexhinjtë, të shkojnë tek familjet në nevojë dhe për të riparuar këto banesat që kanë dy vite e tre muaj që nuk preken ndërkohë që njerëzit jetojnë akoma në çadra, se kur ju thua që njerëzit jetojnë në çadra e kyçin gojën, bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Bashkitë janë kthyer në ushtri që punësojnë njerëz për vota. Nuk është zgjidhja përfundimtare por e keni një njeri tuajin aty që do të ketë hallet tuaja në mendje e në zemër edhe forcën për të ngrit zërin për ju.Do e keni sikur të ishte vetja juaj, por e keni në bashki.'- tha Basha.
Në takimin me një familje që ende vuan pasojat e tërmetit, Basha premtoi audit për shpërndarjen e fondeve të rindërtimit. Qytetarëve të Vorës, kreu i PD nuk la pa u përmendur as çështjen e inceneratorëve zgjidhjen përfundimtare të së cilës, e shpreson përmes gjykatave.