Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka miratuar kufirin maksimal të shpenzimeve të partive politike për fushatën zgjedhore, duke e vendosur pragun në 1 euro për çdo votues të regjistruar.
Sipas vendimit të KQZ-së, subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvendin mund të shpenzojnë deri në 2,092,202 euro secila. Shifra lidhet me numrin e votuesve në listën zgjedhore, që arrin në 2,092,202. Pikërisht mbi këtë bazë është bërë edhe përllogaritja e tavanit.
Vendimi mbështetet në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024, që përcakton rregullat për fushatën, monitorimin dhe deklarimin financiar të partive. KQZ thekson se subjektet politike do të jenë të detyruara të raportojnë çdo shpenzim, në kuadër të transparencës financiare gjatë fushatës.
Vendimi vjen në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare që do të mbahen më 7 qershor. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shpalli datën e zgjedhjeve pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin deri më 28 prill, sipas afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Si pasojë, parlamenti u shpërnda dhe vendi shkon sërish në zgjedhje. Këto janë të tretat brenda rreth një viti e gjysmë, pas krizave të njëpasnjëshme politike në Kosovë.
Komente











