Zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA dhe sfidat ligjore 

Zgjedhjet e 8 nëntorit në SHBA dhe sfidat ligjore 

Foto ilustruese

Dita e zgjedhjeve është 12 ditë larg, por përpjekjet për të mbjellë dyshime mbi rezultatin kanë filluar tashmë.

Më shumë se 100 padi janë ngritur këtë vit rreth zgjedhjeve për Kongresin. Paditë, të bëra kryesisht nga republikanët, kanë në shënjestër rregullat mbi votimin me postë, votimin e hershëm, qasjen e votuesve, makineritë e votimit, regjistrimin e votuesve, numërimin e votave me postë të shënuara gabim dhe qasjen për vëzhguesit partiakë në procesin e votimit.

Historikisht ky është numri më i madh i procesve gjyqësore para zgjedhjeve dhe paralajmëron rrezikun e mospranimit të rezultateve.

Kjo strategji e ka zanafillën tek përpjekjet e dështuara të aleatëve të ish-presidentit Donald Trump për të sfiduar dhe përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, një proces i konsideruar i drejtë e demokratik.

Por ndërsa përpjekjet e vitit 2020 u duk si një reagim pa plan nga një grup avokatësh jo aq të përgatitur mes tyre edhe avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani, përpjekjet e tanishme janë një fushatë më formale, e financuar mirë dhe e mirëorganizuar, e drejtuar nga Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) dhe aleatë të tjerë ligjor. Zyrtarët e partisë thonë se ata po përgatiten aktivisht për rinumërime, kundërshtim të rezultatit e shumë procese gjyqësore.

Pjesë e planit janë tashmë edhe mijëra vullnetarë në vend të përgatitur për të sfiduar fletëvotimet dhe për të gjetur prova për manipulim.

“Jemi në pikën ku akuzat për manipulim apo shkurajim të votuese po shfrytëzohen nga të dyja partitë për të nxitur përkrahësit e tyre të marrin pjesë në votim. Republikanët akuzojnë për mashtrim. Demokratët akuzojnë për shtypje të të drejtës për të votuar. Secila palë e përforcon pozicionin e saj duke harxhuar huma masive për procese gjyqësore e mesazheve”, tha Benjamin Ginsberg, këshilltar i fushatës së ish presidentit George W. Bush dhe kandidatëve të tjerë republikanë.

Demokratët, gjithashtu, po bëjnë përpjekje të ngjashme në vazhdimësi. Por përpjekja e tyre ligjore përpara zgjedhjeve përqendrohet në lehtësimin e votimit dhe ndihmën ndaj atyre që më parë iu është mohuar e drejta për të votuar, përmes linjave telefonike me këshilla ligjore dhe vullnetarëve. Një ekip i udhëhequr nga avokati Marc Elias dhe firma e tij kanë ngritur rreth 40 çështje në 19 shtete. Disa nga këto raste kanë qenë reagim ndaj proceseve gjyqësore të nxitura nga republikanët.

Zoti Elias tha se ai po përgatitet për një mori procesesh gjyqësore që do të sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve, veçanërisht pasi disa kandidatë republikanë kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë humbjen ose kanë mbjellë dyshime mbi procesin zgjedhor, pavarësisht se nuk ka prova për manipulim.

“Problemi me Partinë Republikane është pranimi i humbjes së zgjedhjeve. Kjo është diçka që ka efekt shkatërrues për demokracinë”, tha zoti Elias.

Në vitin 2020, disa avokatë që punonin për ish presidentit Trump ngritën afërsisht 60 padi në të gjithë vendin dhe u kërkuan gjyqtarëve të konsiderojnë të paflefshme një mori votash. Këto padi u hodhën poshtë në mënyrë të prerë. Vetë zyrtarët e administrates së zotit Trump thanë se zgjedhjet ishin të drejta dhe zyrtarët shtetëror të zgjedhjeve në mbarë vendin nuk panë prova të mashtrimit. Zoti Biden fitoi 306 vota elektorale kundrejt 232 votave të zotit Trump, e njëjta diferencë në fitoren e këtij të fundit më 2016 ndaj Hillary Clinton. Këtë fitore zoti Trump e përshkroi në mënyrë të përsëritur si një “plebishit”.

Në atë kohë, establishmenti republikan nuk kishte pranuar gënjeshtrat e zotit Trump për zgjedhjet. Megjithatë, që atëherë, gënjeshtrat kanë zënë rrënjë brenda partisë dhe janë bërë pika kryesore e fushatave për shumë prej kandidatëve. Disa kanë refuzuar të japin zotimin nëse do të pranojnë rezultatet pas 8 nëntorit.

Këshilltari i fushatës së ish presidentit George W. Bush, Benjamin Ginsberg tha se akuzat e pabazuara se zgjedhjet ishin të falsifikuara ose të manipuluara ose jo të besueshme janë bërë një lloj shtrimi i terrenit që një kandidat republikan të fitojë zgjedhje të kontestuara paraprakisht në shumicën e shteteve, dhe ky është një problem.

“Kjo vetëm sa do e dëmtojë besimin e publikut në zgjedhje, diçka për të cilën republikanët përfundimisht do të paguajnë një çmim”, tha zoti Ginsberg.

Këtë vit vëmendja është te ofendimi. Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) tha se ka ndërtuar një ekip miliona dollarësh për “integritetin zgjedhor”, duke punësuar 37 avokatë në shtetet kyçe. Ata gjithashtu kanë mbajtur më shumë se 5,000 trajnime për të mësuar vullnetarët si të zbulojnë mashtrime me vota, një gjë e rrallë, dhe duke ngritur 73 padi në 20 shtete. Ekipet e tjera ligjore të aleatëve të zotit Trump po rriten gjithashtu dhe po përgatiten për procese gjyqësore, duke përfshirë “America First Legal”, të drejtuar nga ish-këshilltari i zotit Trump, Stephen Miller.

"Ne ndërtuam një bazë të paprecedentë të integritetit zgjedhor për të siguruar që zgjedhjet e nëntorit të jenë të lira, të drejta dhe transparente," tha kryetarja e Komitit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel në fund të muajit të kaluar.

Për tre dekada, RNC funksiononte sipas një dekreti që e ndalonte atë të sfidonte kualifikimet e votuesve dhe pretendimet për mashtrim me vota.

Dekreti morri fund në vitin 2019 pas një padie të Komitetit Kombëtar Demokrat që akuzonte republikanët se kërkonin të eliminonin votuesit afrikano-amerikanët të votonin duke vendosur oficerë të armatosur, jashtë detyrës në zona të caktuara votimi dhe duke dërguar me postë paralajmërime për dënime për shkeljen e ligjit të zgjedhjeve.

Në vitin 2020, vëzhguesit republikanë, të cilët nuk kanë asnjë rol të drejtpërdrejtë në zgjedhje dhe nuk mund të ndërhyjnë në procesin zgjedhor përveç shikimit dhe raportimit të çështjeve, ishin baza e shumë prej padive të ngritura nga aleatët e zotit Trump. Por, kur u kërkuan nga gjyqtarët prova që mbështesin pretendimet partiake për sjellje të dyshimta nga punonjësit e zgjedhjeve, proceset gjyqësore dështuan.

Punonjësit zgjedhorë u janë nënshtruar gjithnjë e më shumë abuzimeve dhe kërcënimeve me dhunë. Në shtetet ku ka garë të fuqishme, rastet e frikësimit të votuesve janë në rritje. Ekziston një shqetësim në rritje midis zyrtarëve të zgjedhjeve dhe zbatuesve të ligjit për vëzhguesit tepër agresivë të zgjedhjeve ose njerëzit që pretendojnë se janë vëzhgues që frikësojnë votuesit.

Javën e kaluar RNC fitoi një sfidë ligjore kundër Sekretares së Shtetit të Miçiganit, demokrates Jocelyn Benson, e cila u përpoq të nxjerrë rregulla rreth mënyrës se si mund të veprojnë sfiduesit e zgjedhjeve.

RNC ka fituar sfidat ligjore në shtetet tjera si Nevada dhe Arizona mbi emërimin e punonjësve të zgjedhjeve dhe ka shënuar një fitore ligjore edhe në Uiskonsin. Veprime të tjera përfshijnë proceset gjyqësore në Pensilvani mbi votimin nga larg dhe nëse palët e jashtme duhet të lejohen të verifikojnë makinat e votimit.

Demokratët po vazhdojnë të ngrenë gjithashtu procese gjyqësore. Grupet e udhëhequra nga demokratët kanë nisur afërsisht 35 procese gjyqësore që përqëndrohen kryesisht në lehtësimin e votimit.

Deri në vitin 2020, Amerika ishte përqendruar kryesisht në atë nëse ndonjë aktor i huaj sikurse Rusia apo Kina do të ndërhynte në zgjedhje. Kjo nuk u realizua; në vend të kësaj, komploti lindi dhe u ushqye nga zoti Trump dhe mbështetësit e tij.

Zyrtarët amerikanë po japin sërish alarmin se Rusia po punon për të përforcuar dyshimet mbi integritetin e zgjedhjeve.

Këtë javë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha: "Asnjë aktivitet i jashtëm kibernetik nuk e ka penguar ndonjëherë një votues të regjistruar të votojë; nuk ka komprometuar integritetin e çdo fletëvotimi të hedhur; ose të ketë ndikuar në saktësinë e informacionit mbi listat e votuesve".

Dhe ajo premtoi se qeveria do të "monitorojë çdo kërcënim ndaj zgjedhjeve amerikane nëse do të ketë të tilla”./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda