Donald Trump ka thënë se qeveria amerikane do t’u dërgojë një pagesë prej 90 dollarësh më shumë se 20 milionë amerikanëve të regjistruar në Medicare, programi i sigurimit shëndetësor për të moshuarit, për të ndihmuar në mbulimin e kostos mujore të sigurimit shëndetësor.
Presidenti tha në rrjetet sociale të premten vonë se pagesat do të vinin nga Fondi për Përmirësimin e Medicare, për të cilin ai tha se Kongresi kishte akorduar 2 miliardë dollarë.
Njoftimi është i fundit në një seri premtimesh financiare që lideri republikan u ka bërë votuesve përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, ku është në lojë kontrolli i Kongresit dhe ku pritet që partia e tij të humbasë karrige.
Partia Republikane e Trump aktualisht ka një shumicë të ngushtë si në Senatin amerikan, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Por niveli i përkrahjes së tij ka qenë i ulët për shkak të mënyrës se si ka menaxhuar koston e lartë të jetesës për amerikanët gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila ka rritur çmimet e naftës dhe gazit.
Shtëpia e Bardhë publikoi disa detaje të planit të Trump në faqen e saj të internetit, duke thënë se shumica e të moshuarve që plotësojnë kushtet do ta marrin pagesën në formën e një depozitimi të drejtpërdrejtë prej 90 dollarësh në fillim të tetorit.
Ata që nuk kanë llogari të drejtpërdrejtë do të marrin një çek, i cili gjithashtu do të dërgohet në fillim të tetorit, në adresën postare që kanë të regjistruar pranë Medicare, tha Shtëpia e Bardhë.
Në shtator, Trump propozoi t’u dërgoheshin çeqe prej 5,000 dollarësh të gjithë qytetarëve të rritur nëse republikanët ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit, megjithëse analistët, ekonomistët dhe madje edhe disa republikanë në Kongres reaguan me skepticizëm ndaj këtij plani.
Administrata Trump po dërgon veçmas edhe pagesa prej 500 dollarësh për afro 1 milion amerikanë, në një lëvizje që strategët thonë se mund të ndikojë në disa gara zgjedhore.
Administrata Trump thotë se këto pagesa janë rimbursim për atë që ajo i përshkruan si tarifa të tepërta të ngarkuara ndaj personave që blenë sigurim shëndetësor përmes Aktit të Kujdesit të Përballueshëm (Affordable Care Act), i cili u miratua në vitin 2010 gjatë presidencës së Barack Obama-s.







Komente
Komento